Konflikti në Qesarakë, një apartament u shit dy herë

Prej muajsh policia ishte në dijeni të sherrit. patrullat njoftoheshin herë pas herë për rastin, pa pasur mundësi zgjidhjeje
TIRANE- Një ditë pas vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e një personi nga një efektiv i Policisë së Shtetit, hetuesit e Drejtorisë së Policisë së Tiranës specialistët e Komisariatit nr.4, thuajse kanë arritur të zbardhin shkakun dhe motivin e krimit të ndodhur në fshatin Qesarakë, pranë rrugës që të çon në afërsi të repartit RENEA.
Në këtë ngjarje mbetën të plagosur rëndë Edvin Vogli, 35 vjeç, dhe Bashkim Ceka, ky i fundit administrator i pallatit, i cili është bërë shkak për konfliktin, që përfundoi me arrestimin efektivit të forcave speciale të repartit 712 Ylli Ceka, si dhe nisjen e hetimit për Juljan Pashën dhe Bashkim Cekën.
Ylli Ceka, sipas burimeve zyrtare të policisë, akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Edvin Voglit. Burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës thanë dje, se hetimi ka zbuluar një konflikt edhe më të rëndë mes palëve.
Sipas burimeve të Policisë, shkaku kryesor i konfliktit mësohet se është bërë shitja e apartamentit, nga Bashkim Ceka, vëllai i Ylli Cekës, efektivi i forcave speciale të repartit 712, në Tiranë.
Ky i fundit mësohet se ia ka shitur në të njëjtën kohë apartamentin dy personave të ndryshëm duke arkëtuar prej tyre paratë, për një objekt banimi që në këtë zonë vlerësohet me çmimin e afërsisht 500 metrave katrorë. Një veprim i tillë sipas burimeve të policisë, është kryer rreth një vit më parë, kohë kur objekti i mësipërm ishte ende në ndërtim e sipër.
Ndërkaq, tashmë policia është duke hetuar më tej për krimin e dy ditëve më parë, edhe në këtë drejtim, pasi mendohet se konflikti i dy ditëve më parë, ka qenë i njohur për policinë e kryeqytetit që për disa muaj ka vijuar në këtë zonë. Efektivët e Patrullës së Përgjithshme, në mënyrë të përsëritur, kanë tentuar të zgjidhin këtë konflikt në këtë zonë, por vetëm prania e tyre aty ka qenë e pamjaftueshme për të zgjidhur këtë situatë.
Nga konflikti i të shtunës pasdite mbeti i plagosur me armë zjarri, Edvin Vogli, ndërkohë që është plagosur me mjete të forta, Bashkim Ceka, administratori i pallatit. Si autor të plagosjes së Voglit, blutë arrestuan policin Ylli Ceka, vëllai i administratorit të pallatit.
Ndërkaq në ngjarje është përfshirë edhe Julian Pusha, i cili gjithashtu kishte blerë të njëjtin apartament me Edvin Voglin. Nga hetimet rezultoi se Julian Pusha ka plagosur me sende të forta vëllain e autorit, Bashkim Cekën, 44 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.