E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi, Basha fitues në Tiranë me 58.4%

Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ‘fiton’ Tiranën, jo vetëm në bashkinë e madhe të kryeqytetit, por edhe 10 nga 11 njësi bashkiake. Kështu rezulton sipas sondazhit të bërë publik dje nga Instituti “Gani Bobi”. I realizuar në 4.026 persona, ky sondazh shpalli dje fitues në Tiranë, kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha me një përqindje të lartë prej 58.4% të votave, përballë kandidatit kundërshtar të “Aleancës për të Ardhmen”, Edi Rama me vetëm 39.8%. Konkurrenti i tretë për garën e Tiranës, Hysni Milloshi, sipas sondazhit ka arritur të marrë në këto zgjedhje vetëm 0.4%, ndërkohë që 1.3% kanë deklaruar, asnjë. Me gjithë shifrat e deklaruara, Presidenti i Institutit Hulumtues, Shkëlzen Maliqi, theksoi që për shkak se një pjesë e konsiderueshme e personave të anketuar, nuk janë përgjigjur fare, kapin shifrën 30%. Ndërsa për sa i përket rezultateve të sondazhit për të 11 njësitë bashkiake në vend, rezultoi se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” i fiton pothuajse të gjitha ato, 10 nga 11 në total. Mazhoranca, rezulton fituese në të gjitha minibashkitë, përveç njësisë numër pesë, ku fituese rezulton sipas sondazhit, kandidatja e PS-së, Jeta Seitaj me 53.5% të votave, kundrejt Erisa Xhixhos, me 46.5% të votave. Në njësitë e tjera bashkiake, rezultojnë fitues kandidatët e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, madje me një përqindje të lartë të votuesve në disa zona, që i tejkalon 60%, si në rastin e Arben Tafaj në njësinë bashkiake numër 8 me 62% të votave, Ilir Kokona me 67.5% si dhe Haki Mustafa në njësinë bashkiake numër 11. Presidenti i Institutit “Gani Bobi”, Shkëlzen Maliqi sqaroi se ishte parashikuar që në këtë sondazh të pyeteshin 5.000 persona, por 30% e tyre kanë refuzuar të përgjigjen. Fenomen ky, që Maliqi theksoi se haset për herë të parë në këtë anketim. “30% të personave, që i kemi pyetur, kanë refuzuar të përgjigjen e kanë injoruar sondazhin. Ne jemi prezantuar si një ekip neutral. Sondazhi, u zhvillua në të gjitha vendvotimet në Tiranë dhe në minibashkitë. Pyetjet kanë qenë për kryetarin e bashkisë, këshillin bashkiak dhe kryetarët e bashkive. Vetëm ata që janë përgjigjur, në rezultat. 4026 veta, kanë dhënë përgjigje. 1707, nuk janë përgjigjur. Për shkak se një pjesë e të anketuarve nuk u përgjigjën, ne tejkaluam 5000 veta, nga që nuk kishte përgjigje. Marzhi i gabimit, 10%, sepse nuk janë përgjigjur”, sqaroi Maliqi. Sipas tij, me një marzh të tillë gabimi që mund të shkojë deri në 10 për qind, ekziston mundësia që disa rezultate të përmbysen. “Në disa njësi, disa rezultate mund të përmbysen për shkak të marzhit të gabimit, mund të dalë 7 njësi bashkiake të fitojë PD dhe 4 PS, ose një raport 6 me 5”, vijoi Maliqi.

Me shume lexoni sot, 9 maj 2011 tek Koha Jone

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›