Sondazhi: Kosova dhe Shqipëria, dy vendet më pro-amerikane në botë
Sondazhi i Gallup, mbi mbështetjen e lidershipit amerikan në botë i ka nxjerrë në krye dy shtetet shqiptare, ndërkohë që Serbia dhe Rusia vijojnë të renditen si shtetet më antiamerikane të Evropës
Sipas sondazheve të fundit të lëshuara nga Gallup, lidershipi i Shteteve të Bashkuara ka ruajtur mbështetjen e plotë në gjashtë shtete, në të cilat prijnë Kosova e Shqipëria. Katër te tjerat janë Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Italia.
Megjithatë, sipas sondazhit, udhëheqja e SHBA-së ka dështuar që të marrë mbështetje në shtetet si në Francë, Spanjë dhe Suedi, ku miratimi ka rënë në nivelin e vitit 2011.
Pikëpamjet për lidershipin amerikan kanë vazhduar që të përkeqësohen në shtetet e goditura nga kriza ekonomike, si Hungaria, Kroacia, Maqedonia e Austria.
Rusia thuhet ta ketë zëvendësuar Serbinë në vitin 2012, si një shtet evropian me miratimin më të ulët për lidershipin amerikan, vetëm 14 për qind. Siç raporton Radio Evropa e Lirë, në sondazh thuhet se imazhi i udhëheqjes amerikane gjatë vitit të katërt të Barack Obamës si president, ka qenë më i dobët sesa në vitet paraprake. Miratimi mesatar i lidershipit amerikan në 130 shtete ka qenë 41 për qind, në vitin 2012, krahasuar më 49 për qind, sa ishte në vitin e parë të Obamës si president. Me gjithë këto shifra të ulëta, miratimi prapë mbetet më i lartë sesa që ishte në fund të administratës Bush.