E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika ekologjike e kryeministrit

PhD. Llazar Kumaraku

-Ndërkohë që në të gjithë botën ndiqen politika dhe ngrihen strategji për zhvillimin e ekonomisë duke respektuar ambientin, kryeministri shqiptar Sali Berisha nuk ngelet pas dhe tregon se është i azhornuar. Në gjithë botën, përfshi këtu dhe vende të Botës së Tretë jepen subvencione për prodhimin e energjisë me anë të burimeve natyrore, kryeministri kërkon të shesë hidrocentralet. Në botë po studiohen mënyra për të nxjerrë pasuri nga ambienti, pa e dëmtuar atë dhe këtyre studimeve i është shtuar edhe propozimi i Berishës për të bërë biznes me gjethet e ferrave. Ftesa i drejtohet fermerëve që hedhin prodhimet e tyre në lum; të heqin dorë nga bujqësia (tashmë e dalë jashtë mode) dhe u sugjeron atyre që t’i futen mbledhjes së gjetheve të ferrave, sepse mesa duket qenka më shumë fitimprurëse. 

Do futen në krizë barinjtë e dhive se dihet fare mirë që ushqimi i tyre i preferuar janë gjethet e ferrave dhe natyrisht po i mblodhi Berisha për to do ketë më pak kullota. “Durim”,- do përgjigjet kryeministri Berisha,- “kriza është botërore dhe do ta ndjejë edhe Shqipëria ndonjë efekt anësor”. Në fund të fundit, po falimentoi ndonjë bari dhish, le t’i futet edhe ai tregtisë së gjetheve të ferrave që me siguri është më fitimprurëse se blegtoria.

Me sa duket dhe kryeministri i ka bërë llogaritë e veta gabim, sepse as rroga e tij nuk i arrin 100000 euro në muaj. Kjo do të thotë që dhe të bësh kryeministrin nuk qenka fitimprurëse. Më mirë të mbledhësh gjethe ferre. Po atëherë pse nuk i mbledh vetë kryeministri Berisha gjethet e ferrave? Pse nuk e lë kryeministrinë dhe t’i futet biznesit të ferrave? Pasi të mbarojë me ferrat unë sugjeroj të mbledhë manat për të bërë raki dhe po deshi të shtojë më tepër pasurinë janë dhe mëllagat, lulet e shtogut, kërmijtë etj. etj. 

Po mbase ai nuk e bën kryeministrin  për pasuri apo për pushtet.  Mbase e bën për pasion. Po ç’pasion them unë? Pse shkruaj marrëzira? Si nuk e kisha kuptuar më parë? Ai merret me politikë se ka përzemër popullin shqiptar dhe i këputet shpirti kur merr vesh për vuajtjet tona. Mbyllet në studio dhe ngre plane për të rritur mirëqenien. Nuk ka rëndësi të kujt, të tonën apo të tijën. Ai studion, mundohet dhe e gjen një zgjidhje gjeniale. Si vallë nuk na kishte shkuar ne të tjerëve nëpër mend? Ne të tjerre...më parë...të mblidhnim gjethe ferrash?! 

Ideja është gjeniale dhe siç shkruante Baroni që varej nëpër pemë: Unë kam ide, ua jap të tjerëve ato dhe nëse ata i pranojnë do të thotë që unë drejtoj. Le të shohim se si do e marrin shqiptarët idenë e Berishës për të mbledhur gjethe ferre dhe më tej: a ja vlen ai për të drejtuar vendin?   


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›