Sondazhi: Kroatët më të sigurtë pas anëtarësimit në NATO.
Kroatët ndihen më të sigurtë pas anëtarësimit të vendit të tyre në NATO. Një konkluzion i tillë është bërë i ditur nga një sondazh i agjencisë GFK, zhvilluar në prag të përvjetorit të parë të anëtarësimit të vendit ballkanik në Aleancë.
Sondazhi tregon një mbështetje të qëndrueshme të qytetarëve për anëtarësim në Aleancën e atlantikut të veriut dhe angazhimet e Kroacisë në operacionet ndërkombëtare.
Sipas sondazhit, 64,6 për qind e të anketuarve ndihen më të sigurtë, pasi vendi është anëtar i NATO-s, veçanërisht banorët e Sllavonisë dhe Dalmacisë.
Më shumë se gjysma e të anketuarve, 50,2 për qind, vlerësojnë se me anëtarësimin në NATO, u rrit prestigji dhe u përforcua pozita ndërkombëtare e Kroacisë.
Sondazhi i kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme me rastin e përvjetorit të parë të anëtarësimit të Kroacisë në NATO, u realizua me 750 qytetarë.