SHBA dërgojnë pajisje demontimi në Poliçan, Withers: “Të evitojmë ngjarje si Gërdeci”
Për të shmangur tragjedi të tilla siç ishte ajo e Gërdecit, ambasadori i SHBA-ve, Johan Withers, ka inauguruar në Poliçan një makineri të quajtur TRAZ për demontimin e municioneve. Kjo makineri me teknologji të lartë, e dhënë me qira nga qeveria amerikane nëpërmjet zyrës së Departamentit Amerikan të Shtetit, arrin të demontojë pesë tonë municione në ditë. Duke kujtuar dhe njëherë tragjedinë e Gërdecit, Withers, në deklaratën e tij është shprehur se kjo makineri i vjen në ndihmë qeverisë shqiptare për të shmangur të tilla ngjarje me pasoja të rënda. “Të gjithë duhet të kujtojmë ditën e tmerrshme të tragjedisë së Gërdecit të 15 marsit 2008, kur ne pamë me sytë tanë shpërthimin dhe të gjitha pasojat që ndodhën. Ishte e tmerrshme dhe shkatërruese. Ajo ngjarje na tregoi se sa shkatërruese është për jetën e njeriut ai shpërthim që ndodhi dhe të gjithë këto armë të pashpërthyera. Faktet flasin vetë, pasi në Poliçan po shkatërrohen fishekë me një shpejtësi të madhe dhe ne si qeveri jemi krenarë që mund t’ju ofrojmë ekspertizën dhe burimet tona për t’ju ndihmuar në këtë proces”, - theksoi Withers. I pranishëm në këtë inaugurim ishte edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Spahia, drejtues të pushtetit vendor, drejtues të uzinës në Poliçan, si dhe specialistë që monitoruan dhe vënien në funksion të kësaj makinerie që prej ditës së sotme e në vijim. Të pranishmit kanë marrë pjesë edhe në bërjen e një prove gjatë vënies në përdorim të makinerisë TRAZ në Poliçan.
20 Shkurt 2010