E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi i ISN: Përkrahja e shqiptarëve për anëtarësimin në BE ka rënëNga TemaNjë sondazh i përvitshëm i Institutit shqiptar për Studime Ndërkombëtare (ISN) ka gjetur se mbështetja e shqiptarëve për anëtarësimin në BE ka rënë. Megjithatë shqiptarët v

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Sondazhi i ISN: Përkrahja e shqiptarëve për anëtarësimin në BE ka rënëNga Tema

Një sondazh i përvitshëm i Institutit shqiptar për Studime Ndërkombëtare (ISN) ka gjetur se mbështetja e shqiptarëve për anëtarësimin në BE ka rënë. Megjithatë shqiptarët vazhdojnë të jenë më entuziastët në rajon për anëtarësimin në BE.

“Shqipëria vazhdon të shfaqë mbështetje mbarëpopullore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Këtë vit, përqindja e të anketuarve që janë shprehur në favor të anëtarësimit në BE është 88.7% krahasuar me 95% të vitit të shkuar. Është ende herët për të parashikuar sa domethënës do të jetë ky rezultat për të sinjalizuar një prirje të re në mbështetjen ndaj procesit të integrimit. Gjithsesi, një gjë mund të thuhet me siguri, studimi i këtij viti nxjerr në pah lindjen e një mendimi lehtësisht më kritik ndaj integrimit në BE.

Niveli prej 88.7% flet për mbështetje goxha të lartë për anëtarësimin në BE. Kjo prirje e qëndrueshme e mbështetjes kombëtare për procesin e integrimit është e pashoqe, po të mbahen parasysh qëndrimet e vendeve fqinje të rajonit, si edhe shtetet e reja anëtare. Zakonisht, sa më i afërt të bëhej anëtarësimi (dhe shumë shpesh edhe pas hyrjes në BE), aq më pak mbështetje shfaqte opinioni publik. Shembuj të vlefshëm për këtë janë shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, si edhe shtetet e rajonit, Kroacia dhe Republika ish-jugosllave e Maqedonisë”, - thuhet në përmbledhjen e sondazhit.

Përse e duam integrimin

Në sondazh arrihet në përfundimin se shqiptarët e duan integrimin për lëvizjen e lirë dhe për standardet e jetesës.

Në rast se do arrihet lëvizja e lirë, autorët e sondazhit thonë se shqiptarët mund të jenë më kritikë ndaj BE.

“Në mënyrë jo të zakontë, shqiptarët ende shfaqen gjerësisht në favor të anëtarësimit të vendit në BE, për sa kohë që edhe kushtet që e shpjegojnë dhe mbështesin një gjë tillë, vazhdojnë të jenë njësoj të gjalla. Arsyet kryesore që gjenden pas niveleve kaq të larta të mbështetjes popullore të procesit të integrimit kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë dhe standardet më të larta të jetesës. Më shumë se një e treta e atyre që do të votonin pro në një referendum hipotetik mbi anëtarësimin në BE, japin si arsye kryesore lëvizjen e lirë. Mbizotërimi i këtij motivi tregon se qytetarëve shqiptarë iu duhet ende të kuptojnë se liberalizimi i vizave dhe integrimi i përgjithshëm në BE janë tashmë dy procese të ndara, edhe pse paralele. Dalëngadalë po bëhet e qartë që shtetet në rajon mund të lëvizin pa viza në BE përpara anëtarësimit. Në këtë rast, arsyeja kryesore që justifikon mbështetjen e gjerë kombëtare për anëtarësim, pra lëvizja e lirë, do të zhdukej. Përfitimi parësor që shumica e shqiptarëve presin nga anëtarësimi në BE do plotësohej. Prandaj, është logjike të pritet që niveli i mbështetjes për integrimin evropian të shënojë rënie të ngjashme me ato të shteteve kandidate apo atyre që janë anëtarësuar rishtas.”

***

Ndërkohë, duke analizuar arsyen e dytë, atë të standardit të jetesës, studiuesit thonë se ka një keqkuptim, për shkak se shumë shqiptarë e shohin arritjen e këtyre standardeve pas anëtarësimit dhe jo deri kur të arrihet anëtarësimi.

“I renditur si arsyeja e dytë më kryesore për votën pro, rritja e standardit të jetesës si rezultat i anëtarësimit flet për faktin që pritshmëritë ekonomike janë pjesë thelbësore e këtyre niveleve të larta të mbështetjes. Gjithsesi, shpjegimi ekonomik nuk është edhe aq i drejtpërdrejtë. Shqetësimi kryesor i atyre që janë shprehur kundër anëtarësimit në BE në rastin e një referendumi janë rritja e çmimeve dhe dobësimi i pozitave të bizneseve shqiptare përballë atyre evropianë (që janë më të konsoliduar). Ndjeshmëria ndaj pasojave ekonomike, veçanërisht në sektorët që nuk janë të përgatitur për të përballuar konkurrencën evropiane, është ende e ulët. Megjithatë, bizneset vazhdojnë të mbështesin integrimin në BE. Një gjë e tillë mund të shpjegohet me faktin që, pavarësisht hapjes formale të ekonomisë shqiptare, shumë sektorë mbeten të izoluar dhe prandaj nuk e ndjejnë ndikimin e tregut konkurrues të BE.

Pesha e madhe e “standardeve më të larta të jetesës” në mbështetjen mbarëpopullore për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pasqyron nivelin e madh të keqkuptimit dhe pronësisë lokale të procesit të integrimit në Shqipëri. Ndërkohë që përfitimet ekonomike janë pjesë thelbësore e hyrjes në BE, rritja e standardit të jetesës shihet nga shqiptarët si rezultat i pas-anëtarësimit dhe jo si arritje gjatë procesit të përmbushjes së kritereve të BE. Përvoja e mëparshme me shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore në fakt ka treguar se shumë nga përfitimet ekonomike u arritën kohë para anëtarësimit. Për më tepër, të dhënat janë në kundërshtim me besimin e qytetarëve të shteteve anëtare të BE, që ekonomia duhet të jetë një çështje kryesore për marrjen në konsideratë për zgjerimin e mëtejshëm të BE.”

***

Arsyet e tjera për këtë nivel të lartë mbështetjeje për integrimin lidhen me sferën politike dhe sociale, si edhe me mungesën e njohurive për procesin e integrimit.

Në fushën politike, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe të BE, Shqipëria nuk ka ndonjë parti politike që të kundërshtojë ose edhe të kritikojë anëtarësimin në BE. Të gjitha administratat postkomuniste kanë ruajtur, të paktën në një plan retorik, mbështetje të patundur ndaj vizionit evropian të vendit.

Për më tepër, aktorët politikë jo-shtetërorë që mund të ndikojnë opinionin publik si për shembull akademia, organizatat joqeveritare, media, autoritetet fetare apo organizata të tjera ngjashëm e kanë përkrahur integrimin në BE dhe kanë ndihmuar në orientimin evropian të vendit. “Gjithsesi, disa sektorë joqeveritarë kanë filluar të shfaqin mendime kritike. Këto zëra sapo kanë filluar të artikulohen dhe kriticizmi nuk i drejtohet objektivit të vendit për t’iu bashkuar BE, por më tepër problemeve që shoqërojnë qasjen ndaj Bashkimit”, - thuhet në përmbledhjen e sondazhit.

Prova të mëtejshme të mungesës së njohurive të integrimit si proces dhe anëtarësimit si rezultat i bazuar dhe që varet nga përmbushja e kritereve të ndryshme ofrojnë edhe përgjigjet mbi vitin e pritshëm të anëtarësimit. Shumica e të intervistuarve presin që vendi të bëhet pjesë e BE në vitin 2012 (35.2%) ose 2015 (30.5%). vetëm 14.4% e të pyeturve besojnë se anëtarësimi do të ndodhë më 2020 ose më vonë.

Përmbledhje e studimit

- Dinamikat e përfytyrimeve të shoqërisë shqiptare kanë ndryshuar që prej 2003, vit kur u zhvillua sondazhi i parë i ISN. Anketimet e viteve të fundit tregojnë se shqiptarët janë tashmë më skeptikë dhe më pak entuziastë. Në veçanti komuniteti i biznesit shfaqet më ngurrues se në 2003, çka flet për njohuri më të thella e më realiste të procesit të integrimit, por njëkohësisht edhe për prirjen e re të integrimit ekonomik të Shqipërisë në tregun evropian. Është krejtësisht e pritshme që të ndjehen efektet negative. Gjithsesi, shqetësim mbetet niveli i përgatitjes së vendit për t’u përballur me këto efekte.

- Në një plan më filozofik, shfaqja e prirjeve skeptike ndaj procesit të integrimit evropian flet për zhvillimin e një mendimi kritik në shoqërinë shqiptare. Kjo është padyshim shenjë demokratizimi, po të mbajmë parasysh që mbështetja absolute popullore dhe fryma konformiste ndaj çdo gjëje që servir politika janë tipare të shoqërive totalitare dhe post-totalitare.

- Lënia e Shqipërisë jashtë Listës së Bardhë të Schengen-it, rezultatet e kundërshtuara të zgjedhjeve, standardet pjesërisht të përmbushura në procesin e përgjithshëm të demokratizimit të vendit, të vëna në dukje nga Progres-Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2009, rikthimi i mprehtë i politikës konfliktuale dhe zhvillime të tjera justifikojnë plotësisht në tërësinë e tyre vështirësinë/ “lodhjen” në rritje të integrimit/demokratizimit të Shqipërisë. Kjo ndjesi e përgjithshme në opinionin publik ka filluar të artikulohet nga opinion-bërësit më specialistë shqiptarë në media dhe tregohet qartë në orientimin e opinionit publik drejt Brukselit ose aktorëve të tjerë të jashtëm për të “zgjidhur problemet e vendit”.

- Duke pasur parasysh kontekstin e zhvillimeve të sipërpërmendura, është e detyrueshme të rikonfigurojmë mënyrën e të menduarit, politikën dhe veprimet karshi integrimit në BE duke përforcuar pronësinë vendore të procesit. Mes të tjerash, kjo do të implikonte të kuptuarit më mirë të procesit në vetvete, të të drejtave dhe detyrimeve që vijnë me të, të roleve dhe përgjegjësive të aktorëve, të transferimit të aspekteve të llogaridhënies dhe legjitimitetit në vend. Rekomandimet e mëposhtme janë hartuar duke pasur parasysh këtë objektiv specifik - rritjen e pronësisë vendore të procesit të integrimit - si një kriter bazë për suksesin e këtij procesi.

- Mbështetja jashtëzakonisht e lartë që vendi ka për integrimin në BE dalëngadalë mund të zhvendoset nga një “jastëk politik mbrojtjeje i sigurt” për elitat qeverisëse në një potencialisht të paqëndrueshëm për shkak të lidhjes së fortë të saj më çështjen e lëvizjes së lirë, irritimit me hapin e ngadaltë të reformave dhe të standardeve pjesërisht të përmbushura, si dhe skepticizmit në rritje të elitës joqeveritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›