E Diel, 1 Nëntor 2026

Sonte El Klasiko Real Madrid-Barcelona akti II

Dy klubet më të mëdha të Spanjës Real Madrid dhe Barcelona janë gati për të parën nga 4 përplasjet e titanëve në vetëm 18 ditë, vendimtare për suksesin e të dy skuadrave. Betejat në La Liga, në finalen e Kupës së Mbretit dhe sfida dyshe për gjysëmfinalet e Çempions Lig mbyllen në Kamp Nou në 3 Maj.

“La manita” – derbi më shkatërrimtar i karrierës së Hoze Murinjos ende djeg, madje aq shumë sa portugezi refuzon të flasë në konferencën për shtyp përpara "El Klasikos". Portugezi i shumë përfolur i Real Madrid mendon vetëm për revanshin.

Fitorja e Barcelonës do ta çonte diferencën në 11 pikë 6 ndeshje nga fundi – praktikisht një titull i fituar në tokën armike – nuk mund t’ia lejojnë vetes Mu dhe të tjerët – sepse të gjithë janë gati, Karim Benzema, Gonzalo Higuain dhe Kaka, të gjithë të riaftësuar nga dëmtimi. Por që kur Pep Guardiola mori katalanasit në 2008-ën, Barça është e pamposhtur në "Klasikos", 5 fitore, në po kaq përballje.

"Ata janë më mirë se sa ishin në ndeshjen e parë. Janë më të fuqishëm se ne, vrapojnë më shumë, janë më të shpejtë dhe godasin portën më shpesh. Janë më mirë se ne në shumë gjëra”- vlerëson Guardiola.

Një gjë për t’u patur parasysh edhe për një fitues si katalanasi, strategjitë ndryshe të Mu.

"Murinjo ka virtytin se luan në mënyra të ndryshme. Ai ndryshon modulin, mënyrën e lojës. E bëri me ne në Çempions vitin e kaluar me Inter. Kështu duhet të kemi kujdes",- paralajmëron Pep.

Barcelona shkon në këtë ndeshje pa mbrojtësin Erik Abidal, ndërsa Piol mund të jetë gati, sipas asaj që njoftojnë katalnasit, sepse mbrojtësi nuk ndjen më dhimbje. Në mbrëmje në Santiago Bernabeu gjithë planeti do të vështrojë 22 yjet në fushë.

Kristiano Ronaldo dhe Mesi, dy yjet më të shndritshëm të natës magjike të Madridit. Portugezi i zhgënjyer nga humbja turpëruese, por edhe për faktin, se nuk i ka shënuar asnjëherë Barcelonës, edhe kur luante për Unajtid, do të kërkojë në tapetin e Bernabeut dominimin.

Eno Skarço

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›