E Enjte, 5 Nëntor 2026

Sonte në “Përballë”: OFL- përballja me pasuritë e krimit

Policia sot krahas detyrave të saj funksionale që lidhen me rendin dhe sigurinë publike, duhet të merret edhe me zbatimin e masave që lidhen me COVID-19, me kanabisin, me ndërtimet pa leje, me pyjet, me qarkullimin rrugor etj….

Por sfida e vërtetë mbetet beteja ndaj krimit të organizuar. Në boshllëkun e krijuar nga shembja e drejtësisë së vjetër dhe ndërtimit të drejtësisë së re që ende vijon, në janar të këtij viti, qeveria miratoi një akt normativ, për masat parandaluese për forcimin e luftës ndaj terrorizimit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë publike. Krahas akronimeve të shumta që solli reforma e drejtësisë (KED; SPAk; BKH, KLP, KLGJ) edhe ky akt shtoi akronimin e ri OFL  (Operacioni Forca e Ligjit). Në shënjestër të operacionit: pasuritë e krimit!

Aktit normativ i mbaron afati në dhjetor të këtij viti.  Një akt i përkohshëm dhe me karakter emergjent. Kur ka mbetur edhe një muaj nga puna e OFL-së, është koha për një analizë dhe bilanc, si dhe për pyetjen: a dërrmohet krimi organizuar me një mandat një vjeçar? Pavarësisht zërave kritikë për cënimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cënimit të pavarëisë së prokurorisë dhe SPAK- pavarësisht dublimit me ligjin antimafia, Operacioni Forca e Ligjit i ka dërguar më shumë se 250 personave formularin e deklarimit të pasurisë dhe ka referuar në SPAK dhjetëra çështje. Një nga objektivat e OFL është dërgimi i një mesazhi të fortë botës së krimit.

Pjesa e dukshme e ajsbergut janë operacionet e përditshme dhe sekuestrimi i makinave dhe pasurive të personave të implikuar. Pjesa e padukshme është dhe “pjesa e luanit”.

Në ditët e para të operacionit forca e ligjit, ministri i Brendshëm ishte optimist dhe në fjalën e tij para trupës së OFL me kapuçë dhe syze të errta deklaronte se “Krimi i organizuar ekziston për të fituar para dhe fitorja ndaj tij nuk mund të jetë vetëm dënimi penal, për sa kohë pasuritë e nxjerra prej tij, mbeten të paprekura. Shkatërrimi i këtij modeli është tashmë nevojë e dorës së parë.”

A janë prekur realisht pasuritë e krimit të organizuar? A është dobësuar krimi organizuar? A i ka hyrë frika? A po shpërbëhet? Apo OFL i ka dhënë vetëm famë “botës së nëndheshme”, i ka nxjerrë kriminelët në dritë, i ka legalizuar ata?

Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve sonte në #Përballë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. Ora 21.00, në RTSH 1.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›