E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sonte përfundon “DokuFest”

Edicioni i 12-të i Festivalit të Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër “DokuFest” do të mbyllet të dielën mbrëma me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, favoritët e të cilave as deri të shtunën nuk janë bërë të ditur. Përderisa anëtarët e jurisë në shtatë kategori sa janë këtë vit në “DokuFest” nuk i kanë “thyer kufijtë” për të folur me emra për pretendentët e këtij viti, organizatorët e festivalit mëtojnë të thyejnë kufijtë e vitit të kaluar sa i përket numrit të shikuesve në shfaqjet e filmave dokumentarë dhe atyre të shkurtër në këtë edicion.

E premtja dhe e shtuna kanë qenë dy ditët që kanë mbledhur më së shumti shikues, transmeton Koha Ditore. “Sidomos gjatë ditë së premte në të gjitha shfaqjet e filmave, shikueshmëria ka qenë jashtëzakonisht e madhe. Në bazë të informacioneve që kam, mund të them se gjatë orarit të natës së premte shikueshmëria ka arritur një rekord pasi të gjitha biletat për secilën shfaqje të filmave dokumentarë dhe atyre të shkurtër të secilës kategori garuese dhe jogaruese janë shitur”, ka thënë Samir Karahoda, njëri nga organizatorët e “DokuFestit” që është përgjegjës për programin e filmave të shkurtër.

I njëjti trend ka vazhduar edhe gjatë ditës së shtunë, kur Prizreni është stërmbushur nga vizitorë, përderisa edhe gjatë së dielës pritet që numri i shikuesve të rritet. “Deri të premten pasdite kanë qenë afro 7 mijë bileta të shitura pa llogaritur numrin e shikuesve të cilët kanë qenë të akredituar e që nuk kanë pasur nevojë për biletë dhe numrin e atyre që kanë shikuar filma jashtë kinemave. Po presim që ky numër të tejkalojë atë të vitit të kaluar, pra prej 10 mijë shikuesve dhe jemi të bindur se do ta thyejmë këtë kufi”, ka thënë Karahoda, gjatë konferencës për media në paraditen e së shtunës, e cila ka qenë edhe më masivja nga konferencat e përditshme të festivalit./Indeksonline/  

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›