Sorensen, javën e ardhshme, ambasador i BE-së

Diplomati danez Peter Sorensen prej javës së ardhshme, fillon mandatin e ambasadorit të ri të Bashkimit Evropian (BE) në Maqedoni.
Sorensen zëvendëson në këtë detyrë ambasadorin e deritanishëm, Ervan Fuere, i cili mbrëmë ka mbyllur aktivitetet dhe takimet e lamtumires me përfaqësuesit e institucioneve, partive dhe shoqërisë civile, pas një mandati pesë vjeçar.
Ambasadori i ri Sorensen ka njohuri të mjaftueshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas angazhimit të tij në disa misione diplomatike.
Në vitin 2000 ai ishte emëruar përfaqësues i veçantë i BE-së në Kosovë me një mandat dyvjeçar, ndërsa në vitin 2002 ai kalon në detyrën e zëvendës-shefit të Shtyllës së IV të UNMIK-ut dhe drejtor i Zyrës së BE-së në Kosovë, deri në vitin 2006. Nga viti 2006, ai emërohet në cilësinë e përfaqësuesit të posaçëm të ish-përfaqësuesit të lartë të BE-së, Havier Solana si dhe oficer për ndërlidhje me sekretariatin e Këshillit të BE-së.
Peter Sorensen, 44 vjeç, është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Arhus në Danimarkë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, Sorensen, njësoj si Fouere së fundmi, do të përfaqësojë të gjitha institucionet e BE-së në Maqedoni. Sorensen vjen në këtë detyrë në periudhën kur vendi po përballet me një krizë politike dhe po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.