E Diel, 1 Nëntor 2026

5 ditë nga Fotoekspozita "Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën"

Qytetarë, studentë, studiues e pedagogë kanë vizituar për 5 ditë fotoekspozitën "Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën" në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës.
 

Fotoekspozita "Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën", e hapur nën kujdesin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, vazhdon të zgjojë interesin e qytetarëve të moshave, shtresave e profesioneve të ndryshme, për të parë momentet kulmore të rezistencës antikomuniste në Shqipëri dhe persekutimin barbar gjysëm shekullor nga regjimi komunist të kohës. E hapur ditën e hënë, në 21 janar 2011, në njëzet vjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, ekspozita u realizua me mbështetjen e Komisionit Evropian e Qendrës Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës dhe kishte për kurator Besim Ndregjoni, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë.
 

Në të pesë ditët kur ka qëndruar e hapur në mjediset e sallës "Skënderbeu" në Institucionin e Presidentit të Republikës, fotoekspozita është vizituar nga qytetarë të ndryshëm nga Tirana dhe rrethet, studentë të Fakultetit të Gazetarisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, studiues të qendrës së Albanologjisë, përfaqësuesit e Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara për Torturën me qendër në Gjenevë, Laurence Andre dhe Sara Nunez, pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Studentë të Akademisë së Arteve të Bukura dhe familjarë e miq të 22 të viktimave të masakrës së regjimit komunist, të cilët u arrestuan e më pas u pushkatuan pa gjyq për motive politike, pas bombës së hedhur në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë më 26 shkurt të vitit 1951.
 

Vizitorët janë njohur me fotografi e dokumente autentike, si dëshmi konkrete e rezistencës e qëndresës së shqiptarëve, të elitës nacionaliste e intelektuale të shkolluar në Evropë, si dhe eliminimin sistematik të tyre për një gjysëm shekulli, që prej vitit 1944 me një genocid të pastër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›