E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sorensen pas takimit me Osmanin e Kurtin: Fokus, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka dhënë detaje pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për formën e zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Sorensen, në një adresim të shkurtër para mediave, tha se situata politike në Kosovë do të bëjë që gjërat të zgjasin më shumë në procesin e dialogut.

Kosova, edhe gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ende nuk ka formuar institucionet e reja, si pasojë e bllokadës në konstituimin e Kuvendit.

“Sapo pata një takim me z. Kurti. E takova presidenten herët në mëngjes. Jam këtu si pjesë e diskutimeve të mandatit tim se si të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, situata në terren. Sigurisht, situata politike këtu do të thotë që gjërat mund të zgjasin pak më shumë. E di këtë, kështu që ky është një takim i rregullt dhe jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe që më pritën në atë mënyrë siç më kanë pritur”, tha ai.

Diplomati danez, kur u pyet për statusin e dialogut Kosovë-Serbi momentalisht, tha se “është gjallë dhe aktiv”.

Sorensen po qëndron për vizitë zyrtare të mërkurën në Kosovë. Kjo është vizita e tij e tretë në vend, ndërsa ditë më parë Bashkimi Evropian tha për KosovaPress, se po punojnë me palët drejt një normalizimi të plotë të raporteve Kosovë-Serbi, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Të njëjtit shtuan se mundësia e takimeve të reja trilaterale në Bruksel varet nga gatishmëria e palëve.

Rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi e ka përmendur edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, javën e kaluar, pas një bisede me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Macron ka shkruar në rrjetin social X se Franca dënon çdo veprim të njëanshëm që mund të dëmtojë procesin e dialogut.

Ndërkaq, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur së fundmi për shkak të arrestimit në Kosovë të zyrtarit serb, Igor Popoviq, mbi akuzat për nxitje të urrejtjes dhe përçarjeve etnike. Ndërkohë, Serbia ka arrestuar ish-zyrtarin policor, Arbnor Spahiu, në muajin qershor, në lidhje me sulmin terrorist serb në Banjskë, ku mbetën të vrarë edhe tre sulmues./KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›