Sorrentino mbërrin në mesditë
Filmi "Il Divo" mbyll Festivalin e Durrësit
Romë. Muzg. Teksa gjithkush fle, një burrë rri zgjuar. Ky burrë është Xhulio Andreoti. Ai rri zgjuar, pasi i duhet të punojë, të shkruajë libra, të merret me njerëz të rëndësishëm dhe së fundmi, por jo e fundit, atij i duhet t'i lutet apo falet Zotit. I qetë, i zoti dhe i paskrupullt, Andreoti është sinonim i pushtetit në Itali për rreth 4 dekada.
Në fillim të viteve '90, kjo figurë sa pa emocion aq edhe intuitive, sa e dyshimtë aq edhe e sigurt, pa arrogancë dhe pa modesti, shfaqet e sigurt në marrjen e mandatit të tij të 7-të si Kryeministër.
Në prag të të '70-ave, Andreoti është një i plotfuqishëm, i cili me gjithë respektin në Zot, nuk ka frikë nga askush dhe as nuk e njeh kuptimin e adhurimit, përderisa është mësuar ta shohë atë të stampuar në fytyrat e bashkëbiseduesve të tij.
Kënaqësia e tij është e pazëshme dhe pa iu dridhur qerpiku. Kënaqësia për të është pushteti, me të cilin ai ka një marrëdhënie simbolike.
Andreoti del pa lagur nga asgjë: fushatat elektorale, masakrat terroriste apo akuzat gjyqësore.
Asgjë nuk e vë përfund, derisa forca e vërtetë në Itali, mafia, i shpall luftë. Për një njeri enigmatik si Andreoti, shtrohet pyetja: A ndryshojnë vërtet gjërat apo vetëm duket sikur? Një gjë është e sigurt: Është vështirë t'i nxjerrësh bojën Andreotit, njeriu i cili njeh më mirë se kushdo rrugët e botës.
Ky është "Gjiganti" sipas konceptit të Paolo Sorrentinos, që në filmin me të njëjtin titull "Il Divo" (Itali, 2008, 35 mm, 117 min.), sjell një vepër jo të zakontë dhe përtej standardeve të një vepre arti politike.
Fotografia është e Luca Bigazzi-t, montazhi i Cristiano Travaglioli, muzika origjinale e Teho Teardo-s, të gjithë elementë që garantojnë suksesin e filmit fitues në Festivalin e Kanës 2008, i Çmimit të Jurisë dhe i 13 çmimeve të tjera brenda dhe jashtë Italisë.
Kapaku i artë është loja e aktorëve, Toni Servillo në rolin e Andreotit, e me radhë Anna Bonaiuto, Giulio Bosetti, Flavio Bucci, Carlo Buccirosso, Giorgio Colangeli, Alberto Cracco.
Sorrentino vjen sot në mesditë në Shqipëri dhe pasdite do të bëjë prezantimin e filmit të tij. "Il Divo" mbyll Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës.