E Shtunë, 31 Tetor 2026

'Tre majmunët' nuk duhen humbur sonte

Nga programi "Botë ballkanike" shfaqet sot filmi i regjisorit turk, Nuri Bilge Ceylan. Një kinema që mund matet me cilëndo vepër të rrallë arti kur vihet në kërkim të natyrës njerëzore. Deri ku shkon pakti faustian? Për herë të parë në një ekran shqiptar kinemaje "Tre majmunët", i kineastit më të shquar turk

Ceylan, shokues dhe mahnitës:

Ata që pushojnë në Durrës, le të shmangin vapën e ditës, dhe ta kursejnë veten për një diell të fortë në mbrëmje, në kinemanë "Aleksandër Moisiu".


Ata që kanë makinë dhe s'përtojnë për gjysmë orë të jenë për një spaghetti me karkaleca të freskët në Golem apo te Mali i Robit, kur ndjenjat e bukura i kanë në gjumë, le ta mbajnë sonte frymën në qendrën e qytetit, në teatrin ku në orën 18.00 shfaqet për herë të parë në një ekran shqiptar kinemaje, "Tre majmunët", i regjisorit turk, Nuri Bilge Ceylan. Konkurron në Festivalin Veror Ndërkombëtar të Filmit, në programin "Borë Ballkanike".


Është një kinema që mund matet me cilëndo vepër të rrallë arti kur vihet në kërkim të natyrës njerëzore. Deri ku shkon pakti faustian? Ky është shqetësimi tek "Tre majmunët", i kineastit më të shquar turk, suksesi në botë i filmave të të cilit shihet njëherësh si sukses i Turqisë.


Tre majmunët, që shohin, dëgjojnë por që e fshehin (pasi e kanë kryer) të keqen, janë tre anëtarët e një familjeje të kalbur. Fillimisht duket si një film noir. Serveti (Ercan Kesal), një politikan pëson aksident dhe vret një njeri. Zgjedhjet janë afër dhe ai, i tmerruar i ikën skenës së aksidentit dhe i kërkon shoferit të tij besnik,
Eypi (Yavuz Bingol) të marrë përsipër barrën e ngjarjes.


Në këmbim, Serveti i premton se do t'i paguajë rrogën dhe pasi të vuajë dënimin në burg, dhe pas kësaj do të marrë një shpërblim në para të thata. Tejet i varur prej Servetit, ai pranon dhe përtyp poshtërimin e kësaj marrëveshjeje, duke lënë pas një familje me probleme.


Gruaja e tij, Haseri (Hatice Aslan) është një grua e bukur, sado që e fortë, por e lodhur nga problemet financiare, dhe ja tani ky problem i rëndë me të shoqin. Djali i tyre, Ismail (Rifat Sungar) tek të njëzetat, nuk ka pikë dëshire për shkollën dhe endet rrugëve. Fantazma e një fëmije, një bir u ka vdekur, i viziton dy herë. Familja ndjehet në faj për këtë humbje.


Serveti pret në zyrë Haserin, e cila shkon t'i kërkojë një paradhënie nga shuma e premtuar.


Një shkëndijë pasioni ndodh mes tyre, e cila do t'i vërë zjarrin një tragjedie. Marrëveshja me djallin e bërë qysh në fillim kërkon një tjetër marrëveshje faustiane, tani mes Eypit dhe një të vobekti për të marrë përsipër në vend të tij burgun për vrasjen e Servetit. Ndihet një si mallkim në film.


Edhe fjalët e këngës turke, që Haseri e përdor si zile celulari, thonë pak a shumë: "Dashurofsh dhe kurrë mos të të duan", ose "Të vraftë dashuria siç më ka vrarë mua", "Dëshpërimin e paç në prag"...


Për filmin e fundit të këtij poeti të kinemasë, një cilësi (poezia) që i jepet krijimtarisë së Ceylan-it, ndërsa shfaqej në kinematë britanike në fillim të 2009-ës, shtypi vendas shkruante: "Një vepër e mrekullueshme, çdo kuadër është i thellë dhe inteligjent...


Aq e mrekullueshme dhe super e ndërlikuar është kjo vepër, sa tani dyshon mos Ceylan ka tentuar për shumë më tepër... Një film ambicioz, por një dramë kaq e fortë, kaq e thellë është një qorrsokak artistik."


Ankthe, sekrete, tradhti, kalbësi. Personazhet e "Tre majmunëve" ndryjnë të vërtetat dhe me aq zor, si një anije që lëkundet fort para se ta përpijë deti, përpëliten dhe deformohen, poshtërohen dhe dorëzohen para ndjenjave dhe forcave të pashpjegueshme që ruaka njeriu në zgafellat e veta.


Një përkthim figurativ i kësaj gjendjeje bëhet shumë mirë, së pari, me mjedisin ku jeton familja. Në Stamboll, buzë bregut, një apartament i dalë boje, në një pallat të rrjepur, që duket se është hepuar dhe do të shkallmohet aty për aty.


Në një intervistë, Ceylan është shprehur për këta personazhe nëna-babai-biri, që, duke gënjyer zbulojnë se çfarë ndjejnë në të vërtetë për njëri-tjetrin: "Besoni ju se natyra njerëzore ndryshon me kalimin e kohës? Unë nuk besoj. Është njëlloj si 1 000 vjet përpara. Dy mijë vjet përpara."
Historia e "Tre majmunëve" është e gjitha e kthyer drejt njeriut, natyrës së tij. Loja e aktorëve është po aq arrirë.


Dy filmat paraardhës "Larg" (2002) dhe "Klimat" (2006), janë më shumë filma personalë dhe ai ka shfrytëzuar një rreth të ngushtë njerëzisht të afërt dhe familjarë. Ebru Ceylan (bashkëshortja e tij, bashkëskenariste dhe aktore) është një mbështetje e madhe.
Kështu ka filluar të bëjë kinema Ceylan-i (1959). Me mjete modeste, por me pasion dhe ambicie të madhe.


Ai ka rrëfyer se, pasi kishte provuar ta nxirrte jetesën si fotograf, vendosi të bëjë kinema, vendosi ndërsa kryente shërbimin ushtarak. Aty lexoi autobiografinë e Roman Polanskit, një njeri që e kishte filluar nga zero aventurën e tij kinematografike.


Aty ka lexuar shumë, i vetëm, pa miq, në zemër të mërzisë. "Vetmia ka qenë shumë e rëndësishme për mua atë kohë", - tregon ai. "Kur je i vetmuar merr vendime të rëndësishme. Mërzia, gjithashtu, të shtyn të marrësh vendime të rëndësishme".


Pas shërbimit ushtarak u rikthye në Londër. Çdo mëngjes e bëri zakon të shihte tre filma njëri pas tjetrit. Aty u kalit pasioni i tij për kinemanë. Edhe në Londër provoi shumë vetmi: "Unë mendoj se vetmia është gjëja më thelbësore. Në vetmi je shumë i hapur dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve."


Këtë efekt kish pasur tek ai në Londër "Solaris" i Tarkovsky-t, regjisori i tij i preferuar. "Unë besoj se shkolla dhe mënyra më e mirë për të njohur kinemanë është të shohësh filma".


U kthye në Turqi, studioi për tre vjet kinema dhe e la. Iu deshën dhjetë vjet për të bërë filmin e tij të parë. Bleu një kamera 35 mm dhe xhiroi vetë, pa asnjë ndihmë.
Filmi i tij i parë "Koza", u shfaq në Kanë më 1995. Shumë çmime mori me filmin e parë të gjatë "Kasaba".


Kurse me filmin "Larg" u vlerësua me Çmimin e Jurisë dhe për Aktorin më të mirë në Festivalin e Kanës. Më 2006, me "Klimat" mori çmimin e kritikës FIPRESCI, po në Kanë. Ndërsa merrte çmimin e jurisë për "Tre majmunët", përsëri në Kanë, vitin e shkuar, tha:


"Ky çmim është për vendin tim të bukur e të vetmuar që e dua me pasion."
Kanë pohuar ndërkaq organizatorët e Festivalit të Durrësit, se e pranishme për projeksionin e filmit në Shqipëri do të jetë producentja e Ceylan-it për "Tre majmunët", Zeynep Ozbatur.

Foto:
"Tre majmunët" (Üç maymun) 2008, 109 min., interpretojnë Ahmet Rifat Ungar, Hatice Aslan, Rifat Sungar, Yavuz Bingol


Marija Perovic: Hajde të bashkëpunojmë

"Europa ka tregun e kinemasë, ndërsa Ballkani ka dramën për të treguar në film, hajde të bashkëpunojmë!". Regjisorja malazeze, Marija Perovic, bën kërkesë publike për një bashkëpunim me kinemanë shqiptare. Filmi i saj "Më shih mua", që konkurron në programin "Botë ballkanike", është pritur mirë nga publiku pas projeksionit të së martës. Ky bashkëprodhim serbo-malazez trajton tema të mprehta sociale, si dhuna në familje, rebelimin e moshës dhe dashurinë. Një thriller psikologjik, modern, i shtrirë në dy kohë, në ish-Jugosllavi dhe më pas në Malin e Zi. Me skenar dhe regji të Marija Perovic dhe bazuar në romanin best-seller "The boy from water" të shkrimtarit malazez Ksenija Popovic, filmi "Më shih mua" trajton temën e 26-vjeçares Mina, e cila mbërrin në një qytet të vogël bregdetar të Malit të Zi për të gjetur Andrein. Personazhi mbart dy "faje" të pafajshme për komunitetin e vogël provincial. Por, përtej filmit që është realizuar nga loja e 13 aktorëve, regjisorja Marija Perovic zbulon edhe "sekretin" se Festivali i Durrësit mund të sjellë edhe filmin e parë shqiptaro-malazez. "Këtu në Durrës po bisedojmë për shumë gjëra me kineastët shqiptarë. Bashkëpunimi për një film të përbashkët nuk është një ide në ajër, por konkrete"-deklaron ajo. Sipas Perovic, Ballkani ofron tema magjepsëse, ndaj kjo duhet shfrytëzuar për t'i servirur kinemasë europiane dhe botërore kapacitetet artistike të këtij gadishulli. "Vështirësia është tek gjuha. Ballkani ka shumë gjuhë, por historitë na bashkojnë," - shprehet ajo. Në këtë mënyrë, edhe financimet do të jenë më të sigurta. Një bashkëpunim me palën shqiptare, do të ishte fillimi i një aventure të bukur kinematografike, për shtetin që fitoi pavarësinë nga Serbia, pak vite më parë.
m. brunga


"Gjallë", premiera e filmit shqiptar

Sonte, në orën 20.00, në kinemanë e Teatrit "Aleksandër Moisiu", në ditën e fundit të Festivalit Veror Ndërkombëtar të Filmit, projektohet premiera e filmit "Gjallë", e regjisorit Artan Minarolli. Ky është i vetmi film shqiptar që merr pjesë në programet konkurruese të festivalit, saktësisht në programin "Botë ballkanike". Është historia e
Kolit (Nik Xhelilaj), student në Tiranë, i cili duhet të fshihet në një fshat malor për t'i shpëtuar një gjakmarrjeje të vjetër. Por shpejt kupton se duhet t'u kthehet studimeve dhe jetës së mëparshme në qytet, edhe pse rrezikon të përballet me gjaksin. Pa dashje, ai kthehet në një shembull të marrëdhënies dashuri-urrejtje që ka vendi i vet me traditën.
Interpretojnë Nijada Saliasi, Besart Kallaku, Xhevdet Feri, Arqile Lici, Bruno Shllaku, Luljeta Bitri, Eni Çani, Tinka Kurti, Reshat Arbana etj.
Minarolli ka realizuar deri tani filmat "Kronikë provinciale" (2009), "Natë pa hënë" (2004), "Plumbi prej plasteline" (1994) dhe "Qind për qind" (1993).


Nesër
Teatri "A.Moisiu"
10:00 - "Xhirime në Palermo" Wim Wenders, Gjermani/Francë/Itali, 2008, 124 min.
12:00 - "Riki" Francois Ozon, Francë/Itali, 2009, 90 min.
18:30 - "Gjiganti" Paolo Sorrentino, Itali, 2008, 110 min.

Amfiteatri romak
21:00 - Ceremonia e çmimeve


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›