Tenton të kalojë me kamion mbi lundër, vdes shoferi
SARANDË/ Flamur Hasani ka ndërruar jetë pasi kamioni që drejtonte u zhyt në kanalin e Vivarit
SARANDË- Tenton të kalojë kanalin e Vivarit me kamion, por humbet jetën. Ngjarja ndodhi në rrethin e Sarandës, ku si pasojë e përmbysjes së lundrës një 42-vjeçar ka gjetur vdekjen, ndërsa qarkullimi në këtë zonë do të jetë i pamundur për 48 orë për shkak të problemeve me shkëputjen e kabllove.
Burime nga policia bënë të ditur se gjithçka ka ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave nga ana e viktimës, pasi mjetet e rënda nuk lejohet të kalojnë në kanal me lundër.
Ngjarja
Mësohet se 42-vjeçari Flamur Hasani, drejtues i një automjeti kamion i tonazhit të rëndë, i ngarkuar me tulla në udhëtimin e tij drejt Greqisë, ka zgjedhur që ta imbarkojë automjetin në lundrën që shërben për transport në kanalin e Vivarit, në zonën e Butrintit në rrethin e Sarandës, duke qenë se kjo është dhe rruga më e shkurtër që të çon edhe në doganën e Qafëbotës, që lidh Shqipërinë me fqinjen e saj jugore.
Ky veprim, sipas autoriteteve policore lokale është i ndaluar. "Mjetet e tonazhit të rëndë nuk lejohen të imbarkohen në lundrën që lidh qytetin antik të Butrintit me krahun tjetër të zonës dhe drejtuesi i kamionit ka tentuar të imbarkohet forcërisht në të",- kanë bërë të ditur burime të policisë së Sarandës.
Ngjarja ndodhi pas mesnatës së të enjtes, ndërkohë që gjatë gjithë natës janë organizuar shërbime për gjetjen e vendndodhjes së automjetit dhe drejtuesit të tij, por pa rezultat.
Është dashur mbërritja e katër polumbarëve nga Tirana që pas disa orësh kërkimi, të përcaktohej vendndodhja e automjetit, i cili shihej i përmbysur në ujë. Por, ende nuk ka asnjë të dhënë për shoferin Flamur Hasani, ndërsa operacionet e kërkimit në ujë vazhdojnë. Mendohet se trupi i pajetë i tij është marrë nga rryma.
Dëshmia
Ndërkaq, përpara uniformave blu, Zylyftar Kuqo, punëtori i turnit të shërbimit të lundrës ka deklaruar se 42- vjeçari ka hipur forcërisht në lundër. "Debatova me shoferin e kamionit për të mos u ngjitur në lundër, pasi pashë që e ngiste me shpejtësi dhe në gjendje të dehur.
Por ai nuk më dëgjoi dhe i dha gaz kamionit, duke më vënë edhe mua përpara dhe u ngjit mbi platformë. Por atje humbi kontrollin, devijoi majtas dhe përfundoi në ujë, së bashku me automjetin",- mësohet të ketë thënë në deklaratën e tij në lidhje me këtë ngjarje Kuqo.
Bllokimi
Ndërkaq, kjo ngjarje ka bërë që për 48 orët e ardhshme qarkullimi në këtë pjesë, pra e vetmja urë lidhëse ndërmjet dy anëve të kanalit të Vivarit të jetë i bllokuar. Gjithçka për shkak të dëmtimit që ka pësuar.
Sipas shefit të qarkullimit rrugor në komisariatin e policisë së Sarandës, Gjylani Shehu, "kavoja metalike që shërbente për të tërhequr platformën e lundrës është dëmtuar plotësisht dhe për të rregulluar këtë avari duhen të paktën 48 orë.
Të gjithë drejtuesit e automjeteve që do të udhëtojnë në rrugën e shkurtër drejt pikës së kalimit kufitar të Qafëbotës, që lidh Shqipërinë me Greqinë, nëpërmjet segmentit rrugor kombëtar Sarandë-Butrint, nuk do të lejohen të qarkullojnë",- tha Shehu, duke nënvizuar, se në afërsi të fshatit Çukë, është ngritur një postbllok për të udhëzuar emigrantët që dëshirojnë të shkojnë pranë vendeve të tyre në punës në Greqi, të udhëtojnë në segmentin e ri rrugor Sarandë-Xarrë, rreth 25 kilometra, ose në segmentin rrugor Krane-Konispol, me gjatësi 35 kilometra.