E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tropojë, plumb në zemër inspektorit të pyjeve

Policia shprehet se ishte vetëvrasje, pasi viktima kishte borxhe të shumta dhe konsumonte sasi të mëdha alkooli


Rasim Lushi është gjetur i vrarë në gurorën e Fierzës në orët e para të mëngjesit nga një banor i zonës


TROPOJË - Një person i vrarë është gjetur të enjten paradite në guroren e Fierzës, ndërkohë që policia pretendon për një vetëvrasje në kushte depresioni të viktimës Rasim Lushi.


Mësohet se ai ishte rreth 45 vjeç, nga fshati Luzhë i rrethit të Tropojes, i martuar me dy fëmijë. Lushi punonte si inspektor pyjesh në zonën e Lekbibajve.


Burime të policisë së Tropojës kanë bërë të ditur se të enjten paradite, një banor i zonës ka njoftuar policinë se ka zbuluar një kufomë në afërsi të ish-gurores së HEC-it Fierzë. Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë, një grup hetimor në përbërje të të cilit ka qenë edhe prokurori.


Grupi hetimor ka konstatuar se personi që është gjetur i vdekur, është vrarë me një plumb në zemër. Sipas policisë, vrasja mund të ketë ndodhur jo më shumë se 24 orë përpara se të zbulohej kufoma. Në afërsi të trupit të vrarë është gjetur edhe pistoleta tip TT me të cilën mendohet të jetë kryer vrasja. Pas kryerjes së ekspertizës, policia ka arritur në konkluzionin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje.


Sipas policisë, pozicioni në të cilën eshtë gjetur pistoleta, pozicioni i kufomës, si dhe gëzhoja që kishte mbetur në folenë e pistoletës i bën ata të arrijnë në konkluzionin paraprak se kemi të bëjmë me një vetëvrasje në kushtet e depresionit.


Këtë version policia e ka përforcuar edhe pas marrjes në pyetje të dëshmitarëve, ku ka rezultuar se viktima kishte borxhe të shumta, ku borxhlinjtë "ia kishin shtrënguar lakun", ndërkohë që viktima kishte filluar të konsumonte sasi të mëdha alkooli.


Gjithnjë sipas policisë, personi që është gjetur i vrarë nuk kishte hasmëri apo probleme me ndonjë person apo familje. Megjithatë, policia thotë se do vazhdojë hetimet edhe në pista të tjera.


Rasim Lushi me origjinë nga fshati Geghysen, por banues në fshatin Luzhë të Tropojës, ka qenë i njohur në zonë si person me një natyre poetike. Ai shkruante poezi, por kryesisht merrej me hartimin e teksteve të këngëve që persona të ndryshëm nga kjo zonë i porosisnin për njerëzit e tyre të vdekur që kishin humbur jetën në moshë të re dhe në mënyrë tragjike.


Tropoja ka numrin më të madh të vetëvrasjeve të regjistruara në qarkun e Kukësit. Në vitin 2007, brenda një periudhe 4-mujore, në këtë rajon me një popullsi modeste në numër janë shënuar pesë raste ku persona të ndryshëm, kryesisht në moshë të re, i japin fund jetës duke u vetëvarur.


Ndërkohë që vitin e kaluar ka qenë tre numri i personave nga ky rreth që i kanë dhënë fund jetës duke u vetëvarur. Vetëhelmimet, vetëvrasjet apo vetëvarjet janë një fenomen që po njeh gjithnjë rritje sidomos në zonat e Elbasanit, Lushnjës e Fierit, ku viktimat kanë qenë kryesisht femrat.


Por një dukuri e tillë po ndodh edhe në veri të vendit, pikërisht në Tropojë e Kukës. Fenomeni i vetëflijimit ka ndodhur kryesisht tek vajzat e reja si shkak i izolimit të tyre dhe i mungesës së perspektivës.


Dhjetëra vajza nga zonat rurale në veri të Shqipërisë nuk kanë mundësi të vijojnë shkollën e mesme, ndërkohë që shumë prej tyre braktisin edhe shkollën 8-vjeçare duke u mbyllur në shtëpi.


Emigracioni në radhët e meshkujve ka bërë që vajzat në veri të Shqipërisë të humbin edhe shpresat për të krijuar një familje. Dhjetëra djem nga zona e Kukësit, Hasit e Tropojës që gjenden si emigrantë në Angli apo vende të tjera perëndimore janë detyruar që të martohen me vajza nga vendet ku ato kanë emigruar si kusht për të bërë lejeqëndrimin.


Shumica e këtyre martesave kanë rezultuar të jenë të qëndrueshme. Por kohët e fundit një numër vetëvrasjesh janë regjistruar edhe për shkak të depresionit, shkaktuar nga varfëria.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›