Sot 1 vit nga zhdukja e Bleona Matës, misteri i vajzës 6-vjeçare
KUKES- Një vit pa Bleona Matën, vajzën e vogël që u zhduk në rrethana ende të paqarta në fshatin e thellë të Zapodit në Kukës. Emri, pamja dhe "fati" i saj prej një viti gjenden në të gjithë vëmendjen e opinionit publik, por pa u konkretizuar thuajse asnjë fakt nga kompetentët e kërkimit dhe të zbulimit në vend. Gjithçka e thënë pas marrjes së lajmit të humbjes së saj në kullotën e Zapodit pasditen e 21 majit, duket jo më si fakte, por si thashetheme të një ngjarjeje të largët e gati mitike. Në të vërtetë policia, prokuroria dhe Interpoli, në të gjitha kompetencat e tyre kanë kërkuar gjurmë të vajzës së vogël, kanë kërkuar shkaqe dhe motive, përgjegjës dhe autorë dhe, edhe pse kaloi plot një vit nga zhdukja, asnjë prej këtyre elementëve nuk është shënuar në dosjen e saj. Ngjarja e rrallë, mbase më e rralla prej më shumë se një dekade e ndodhur në vendin tonë, kaloi nëpër një sërë dyshimesh të ekspertëve të hetimit, ndërsa në punën e policisë dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u shfaqën një mori pistash, të cilat për shkak të pamundësisë për t'i vazhduar, rrëzonin njëra-tjetrën. Për ditë e net me radhë, e vogla e zhdukur në shtegun e oborrit të shtëpisë së saj u kërkua verbazi nëpër bjeshkët e Zapodit në Kukës e deri në malet e Gjakovës, ndërsa nga Tirana publikoheshin herë pas here përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e saj. Policia e Shtetit vijon të deklarojë herë pas here se po punon për zbardhjen e asaj ngjarjeje, madje është konsideruar si një ndër dosjet që është në qendrën e vëmendjes së punës jo vetëm gjatë vitit që lamë pas por edhe të vitit në të cilin jemi, por që në të vërtetë Bleona ende rezulton e pagjetur.
(s.g/GSH/BalkanWeb)
(s.g/GSH/BalkanWeb)