Droga në vaj palme i akuzuari kërkon lirinë
TIRANE- Dhimitros (Vullnet) Harizaj, i vetmi i akuzuar për trafikimin e një sasie prej 200 kg kokainë nga Kolumbia drejt Shqipërisë, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë. Përmes një kërkese të depozituar katër ditë më parë, Harizaj kërkon shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e menjëhershëm nga qelia. Gjykata supreme, brenda pak ditësh do ta shqyrtojë kërkesën e të akuzuarit dhe do të vendosë për fatin e tij. Harizaj akuzohet për trafikimin e sasisë së madhe të kokainës kolumbiane. Ai porositi vaj palme në Spanjë. Sipas policisë, në vaj ishte tretur sasia prej 200 kg kokainë. Droga vinte nga Kolumbia. Nga hetimet rezulton se në Spanjë do të bëhej përzierja me vajin e palmës. Më pas ngarkesa do të ndiqte itinerarin Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci-Serbi- Maqedoni-Shqipëri. Kamioni me vajin e palmës u bllokua në Gjirokastër, ku do të dorëzohej në një fabrikë kroasantësh. Në pranga ra Harizaj, pasi rezultoi se ishte porositësi i vajit të palmës. Ai deklaroi në gjykatë se nuk kishte aspak lidhje me trafikun e drogës dhe nuk kishte dijeni që në vaj ishte tretur kokainë. Sasia e drogës nuk mbërriti asnjëherë në Shqipëri, pasi autoritetet belge e bllokuan në vendin e tyre dhe në vaj lanë një sasi të vogël, vetëm për të zbuluar rrjetin. Fakti që nuk është kapur sasia e drogës, duket se është një argument mjaft i fortë për Vullnet Harizajn që ta binde gjykatën për t'i dhënë lirinë. Ndërkohë, po dje Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg, për të akuzuarit Ferik Hamzaraj dhe Alfred Coha, të dyshuar për akuzën e "trafikut të narkotikëve". Hamzaraj u arrestua pasi tentoi të trafikonte drejt Greqisë me një autobus linje një sasi të madhe hashashi. Ndërsa Coha akuzohet për 'trafik kokaine'.
(s.g/balkanWeb)
(s.g/balkanWeb)