E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot 14 vjet nga tragjedia e ‘Katerit të Radës’

TIRANE-Më 28 mars, mbushen plot 14 vjet nga tragjedia e Otrantos, ku anija shqiptare Kateri i Radës, u mbyt në mënyrë të qëllimshme nga anija “Sibilla”.
Vitin e kaluar, pikërisht në 13 vjetorin e kësaj tragjedie, News24 dhe Gazeta Shqiptare sollën pamjet tragjike të përplasjes së Sibillës me Katerin e Radës, e po ashtu, edhe pamje filmike të anijes shqiptare në brigjet italiane, në zonën Forte a Mare.
“Vitin që shkoi, u kërkua nga autoritetet shqiptare që kjo anije të kthehej në Shqipëri, si një relike kujtimi për 84 shqiptarët që humbën jetën në ujrat e detit Jon, dhe për 24 trupat që ende nuk janë gjetur edhe tani pas plot 14 vitesh. Por që nga vjet deri në këtë kohë, nuk është bërë asnjë përpjekje për ta kthyer atë në vend” thonë anëtarët e shoqatës së viktimave të Otrantos, të cilët ndihen të fyer nga një indiferencë e tillë e strukturave shtetërore.
Sipas informacioneve të këtij viti, anija Kateri i Radës, ishte totalisht e shkatërryer, tashmë e kthyer në një material për skrap. Dhe nga investigimi i News24, që nga viti i kaluar, ajo ishte kthyer në një vend për hajdutët dhe vandalët.
Tragjedia
Në trazirat e marsit të vitit 1997, 120 shqiptarë, filluan rrugëtimin që nuk do t’i conte sërish në tokë, me anijen shqiptare Kateri i Radës. Nga pamjet filmike siguruar nga prokuroria italiane, shihet qartë anija “Sibilla” një flotëanije luftarake italiane, që i ka rënë në mes anijes së vogël shqiptare. Përfundimi i kësaj tragjedie ishte i dhimbshëm: u gjetën në det 84 kufoma, ndërsa 24 trupa nuk u gjendën asnjëherë. Tragjedia e Otrantos është cilësuar si ngjarja më e rëndë që preku shumë familje vlonjate dhe nga qytete të tjera të vendit.
Ndërkohë ecejaket e shqiptarëve nga Shqipëria në Itali për të gjetur fajtorin e kësaj tragjedie, kanë qenë dëshpëruese. Në fillim të marsit të këtij viti, u vendos që të shtyhet për në 28 qershor, seanca e fundit gjyqësore për çështjen e tragjedisë së Otrantos. Seanca ishte parashikuar të zhvillohej paraditen e datës 22 mars në Leçe të Italisë. Shkak ka qenë mungesa e njërës prej avokateve mbrojtëse të familjarëve të viktimave Natasha Shehu, e cila deklaroi mungesën për shkak të grevës së avokatëve që zhvillohej në Itali. Familjarët e viktimave u indinjuan nga kjo shtyrje. Procesi për këtë tragjedi, vijon prej 14 vitesh. Gjykata e Apelit në Itali ka fajësuar shqiptarët për tragjedinë, por çështja ende nuk ka përfunduar.

Apeli i familjareve te viktimave
Një ditë para se të bëhet përkujtimi i viktimave (të hënën në 10:00 në portin e Vlorës), familjarët e viktimave të Otrantos kanë dalë të dielën në një konferencë për shtyp, duke iu drejtuar me një apel shtetit shqiptarë për ndihmë. Pushime Çala, përfaqësuesja e familjarëve është shprehur se, tashmë nuk mund të thuhet se kanë kaluar 14 vjet nga tragjedia, por po vijon që prej 14 vjetësh një tragjedi, pasi proceset po vijojnë nga pala italiane ndërsa pala shqiptare nuk ka marrë asnjë masë për t'i kërkuar llogari fajtorëve për këtë tragjedi. "Kanë humbur më shumë se 80 jetë njerëzish, por askush nuk po kujtohet t'i japë një zgjidhje përfundimtare, askush nuk po dënohet ende sipas ligjit" - shprehen familjarët. Çala shton se ndër kërkesat që i parashtrohen shtetit shqiptar është ajo e një përfaqësuesi ligjor të tij, për ndjekjen e proceseve, të hapet një proces nga prokuroria shqiptare për të verifikuar pasuritë e Natasha Shehut, avokates e cila u akuzua se kishte përvetësuar një shumë të madhe dëmshpërblimi familjarëve (gjë e cila u vërtetua edhe nga drejtësia italiane, e cila e dënoi me burgim) si dhe kthimin e dëmshpërblimeve të vjedhura. Ndërsa kërkesat e fundit e familjarëve është kthimi i anijes Katri i Radës në Vlorë me qëllim ngritjen e një muzeu për të mos harruar këtë ngjarje.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›