E Diel, 1 Nëntor 2026

Komandanti i divizionit: Si u goditëm për filmin e ndaluar kushtuar Enverit

Një nga fotot e Enver Hoxhës, që gjatë periudhës së komunizmit, ishte e ndaluar të qarkullonte në mjediset publike

Ajo çka përjetuar komandanti i Divizionit të Fierit mesditën e 13 qershorit 1986, ka qënë diçka e befasishme. I sapokthyer në zyrë nga një inspektim në terren, lajmi i parë që ka marrë ka qënë vërtet tronditës: Shkarkohesh nga detyra për mungesë të theksuar vigjilence. Nga ligjërata e pazakontë e ministrit të Mbrojtjes që ia kishte komunikuar urdhrin me telefon, i ishte fiksuar togfjalëshi ngjarje e rëndë dhe diçka që bënte fjalë për emrin e komandantit legjendar.Ishte koha kur Enveri i vdekur qëllonte me fantazmën e tij, kujton Nevruz Dervishaj, ish-ushtaraku i lartë i kryqëzuar për shfaqjen e një filmi të ndaluar kushtuar diktatorit në Shtëpinë e Ushtarakëve të njësisë. E gjitha kjo, shton ish-komandanti i divizionit të Fierit, për pamjen e Mehmet Shehut në një dokumentar të viteve 70, kur ai ishte shpallur poliagjent e tradhtar. Nga tërë ajo histori, njeriu që vuri në rrezik karrierën disavjeçare, ruan kopejen e letrës adresuar ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra, në përfundim të aksionit për identifikimin e përgjegjësive për ngjarjen e rëndë. Në rrëfimin për Panorama, Nevrus Dervishaj, që njihet si një nga shtatmadhorët e sukseshëm të ushtrisë shqiptare, zbulon rrethanat e ndodhisë, mekanizmin që vuri në lëvizje Komitetin Qëndror e krerët e Ministrisë së Brendshme dhe ballafaqimet pafund në zyrën e Pali Miskës, ish-sekretarit të Parë të Partisë së rrethit
Zoti Nevrus! Në një letër drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Prokop Murra, kur kryenit detyrën e komandantit të Divizionit të Fierit, mbani qëndrim autokritik për shfaqjen e një filmi të ndaluar për Enver Hoxhën. Ju kujtohet ngjarja
Në mos gaboj, ishte qershori i vitit 1986 (Diku në shënimet e mbajtura, e kam edhe datën fikse.) Në rutinën e përditshme, dega e propagandës e Shtëpisë së Ushtarakëve të Fierit, kishte shfaqur në Kinostudion Shqipëria e Re një

Nevrus Dervishi, kur ishte në detyrë

dokumentar që i kushtohej  Enver Hoxhës. E kishin ndjekur ushtarakët dhe familjet e tyre. Një orë pas kësaj, më telefonuan urgjent nga Tirana. Çpo ndodh aty? Të gjithë në gjumë ju e kërkoni armikun në kufi dhe i shtroni sofrën në mes të qytetit. Pas kësaj ligjërate të tensionuar, telefonuesi nga Komiteti Qëndror më shpjegoi edhe ngjarjen. Sa përfundova telefonatën me të, zyrën e pushtoi një zile e zgjatur. Nga krahu tjetër dëgjova zërin e ministrit të Mbrojtjes. Toni i tij ishte më i vrazhdë dhe artikulimi më qortues. Nga gjithë sa shqiptoi, në mendje mu fiksuan fjalët e fundit A mund ta quani më veten komandant divizioni pas kësaj?!, që nënkuptonte pezullimin e menjëhershëm nga detyra. Nuk dija çti thonja, por as ai nuk më la ta sqaroja. Foli shpejt e shpejt dhe mbylli telefonin i xhindosur. Një moment mbeta si i ngrirë. Nuk dija çkishte ndodhur. Hapa derën dhe u futa në zyrën e komisarit. Pamja e tij më la të kuptoj se bomba kishte rënë dhe aty. Madje, siç më shpjegoi pak më vonë, atij sa i kishin komunikuar shkarkimin nga detyra për mungesë të theksuar vigjilence
Çfarë kishte ndodhur që kaq papritur u gjendët të kryqëzuar?
Ato çaste nuk e kuptonim përse bëhej fjalë. Ngjarjen e morëm vesh nga zyrtarët, që erdhën me urgjencë nga Tirana. Hataja, sipas tyre, kishte ndodhur nën hundën tonë, në mes të qytetit, ku ishte shfaqur një film i ndaluar. Diçka vërtet e rëndë, ca më tepër që dokumentari i kushtohej Enver Hoxhës. Të gjendur në befasi, nxituam të mësojmë të vërtetën. Thirrëm menjëherë shefen e shtëpisë së kulturës, Argjiro Beqiri, dhe kinoperatorin e divizionit, Petraq Ristën. I pyetëm gjerë e gjatë për rrethanat e ngjarjes dhe objektin e filmit. Na shpjeguan sa mundën, por rrëfimi i tyre ishte i përgjithshëm. Nga çasti në çast, situata bëhej kritike. Sakaq, kishin mbërritur edhe krerët e Sigurimit të Ushtrisë. Ata folën shkoqur që në krye të herës, duke këmbëngulur te përgjegjësia penale. Çështja ishte tmerrësisht delikate. Nuk kishim të bënim me një pakujdesi të rëndomtë, me një dokumentar të zakonshëm, me një ngjarje periferike
Për një film të ndaluar ku shfaqej Enveri
Pse pak ishte kjo?! Diçka e jashtëzakonëshme që në atë kohë vinte në lëvizje gjithë herakinë partiake e shtetërore. Të guxoje atëherë të shfaqje një film të ndaluar, të nxjerrë nga qarkullimi për aryse politike, ca më tepër kur bëhej fjalë për Enverin, ishte aventurë vetëvrasëse
Për çfarë arsyesh mund të dilte nga qarkullimi një film për Enverin?
Arsyet ishin nga më të ndryshmet, por ndër më kryesoret ishin ato politike. Kjo ndodhte jo vetëm në rastin e filmit. Zbulimi periodik i armiqve, që në të gjitha rastet i atribuohej Partisë dhe kryesisht diktatorit, diktonte nevojën e pastrimit të dokumenteve, dosjeve zyrtare, arkivave, bibliotekave, filmave e deri te albumet personale. Kjo bëhej nga grupe të autorizuara, të cilat kalonin në sitë gjithçka, duke hequr pjesët ku shfaqeshin emrat, fotografitë, profilet dhe bëmat e armiqëve, mjaft syresh ish-shokë e bashkëpunëtorë të Enverit, ish-liderë të konvertuar rishtas në tradhtarë etj. Rasti më tipik, me sa më kujtohet, është ripunimi i librit Kur lindi Partia, i cili u hoq nga qarkullimi tri herë dhe u rishkrua tri herë nga e para. Veç  botimeve, operacione të tilla, madje më të bujshme, përfshinin fushën e kinemasë, sidomos fondin e kinoditarëve, ku zine pjesën e luanit figura e diktatorit. Herë pas here, dokumentarët e prodhuar nga Kinostudioja kontrolloheshin me lupë të imët, ndërkohë që ekspertët e propagandës qëmtonin çdo frazë t렠  artikuluar në kinoditar. Nga kjo histeri patologjike nuk shpëtonte asnjë gjë që servirej për publikun nga kombinati i propagandës komuniste
Atëherë, si kishte shpëtuar nga kjo procedurë filmi që u shfaq në Shtëpinë e Ushtarakëve në Fier?
Të them të vërtetën, asnjëherë nuk e mora vesh si mbërriti tek ne ai film i ndaluar. Kinopetarori i divizionit përbetohej se e kishte tërhequr ato ditë nga fondi përkatës i Kinostudios, siç operonte shpesh. Drejtuesit e kësaj të fundit, nga ana tjetër, vinin dorën në zjarr se një produkt i tillë nuk kishte dalë nga institucioni i tyre. Çfarë nuk bëmë ato ditë për të shkuar tek e vërteta, por ishte e pamundur ti shkonim deri në fund. Sidoqoftë, nuk mbetëm pa gjë në ndarjen e përgjegjësive dhe ndëshkimeve, për të cilat intereshej drejtpërdrejt kupola e Tiranës.
Mbani mend pse ishte shpallur i ndaluar filmi i Enverit që u penalizoi në vitin 1986?
Me sa më kujtohet, ai kinoditar i kushtohej vizitës së Enverit në Dibër në vitin 1967. Prania e Komandantit aty lidhej me përfundimin e aksionit për zhdukjen e pasojave të tërmetit të para një muaji. Pas shkatërrimeve të mëdha, Enveri shkonte të uronte banorët për shtëpitë e reja të ndërtuara në një kohë rekord. Ishte në stilin e propagandës komuniste tu jepte jehonë të jashtëzakonshme ngjarjeve të tilla. Filmi i xhiruar në këtë rast, bënte pjesë në fondin e dokumentarëve specialë që shfaqeshin në çdo cepë të vëndit. I parë e riparë me mijëra herë që nga viti i prodhimit, me sa duket ajo që nuk shkonte në të, i kishte shpëtuar syrit të kompetentëve. Rasti e solli të zbulohej në Fier. Pastaj, ky vigjilenti ynë do ndizte furtunën e tmerrshme…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›