Sot 60 vjetori i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut

Sot është 60-vjetori i miratimit të Deklaratës Universale të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Njeriut, me nismën e Zonjës së parë të Shteteve të Bashkuara dhe delegate në OKB, Eleonor Ruzvelt. Deklarata e të Drejtave të Njeriut garanton të drejtat politike dhe qytetare për të gjithë njerëzit, përfshi të drejtën e çlirimit nga tortura, skllavëria, varfëria, mungesa e strehimit dhe forma të tjera shtypjeje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Filip Adams njofton lidhur me ndikimin që ka patur deklarata në 6 dekadat e fundit, si dhe për sfidat me të cilat përballen sot mbrojtësit e saj.
Shumica e njerëzve sot pranojnë si të vërtetë, se garantimi i të drejtave të njeriut është një tipar i nevojshëm për të gjitha shoqëritë e cilivilizuara. Por sipas Leri Koks, i organizatës së të të drejtave të njeriut "Amnesty International USA", Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut ishte produkt i një momenti historik unik."Ajo erdhi pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore, pas Depresionit të Madh dhe natyrisht, pas tmerreve të papërshkrueshme të Holokaustit, që e bënë botën të kuptonte se diçka duhej thënë."