E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Në Kosovë nuk do të ketë struktura paralele

Prishtinë (start)-Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke komentuar nisjen e punës së misionit EULEX dhe shtrirjen e tij, vlerësoi se sot ishte një ditë e një rëndësie të veçantë e hapjes së një kapitulli të ri për Kosovën.
“Kemi fillimin e shtrirjes së autoritetit të EULEX-it në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, deklaroi ai pak më parë pas një takimi me kreun e misionit dhe përfaqësues të BE-së.

“Është një fillim simbolik edhe në veri, por me një vendosmëri dhe një domethënie të veçantë, se tani do të fillojë edhe ushtrimi i autoritetit të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe çdo veprim do të jetë edhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe do të fillojmë të funksionojmë si shtet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, të sundimit të ligjit”, theksoi Thaçi.

Ai siguroi se “qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet e EULEX-it”.

“Ne e përshëndesim këtë punë fillestare, presim hapa edhe më të shpejtë, në mënyrë që të kemi përfundimisht atë situatë për të cilën kemi punuar për ta ndërtuar, funksionimin e mirëfilltë të të gjitha institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës në gjithë territorin e Kosovës, të mos ketë më tutje struktura paralele jolegjitime dhe të ketë një legjislacion të vetëm në Republikën e Kosovë”, tha Thaçi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›