Grinden, qëllon 2 herë me armë të riun
FIER - Një sherr banal ka vënë në rrezik jetën e një të riu. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Vjosë të rrethit Fier pasditen e së martës, në një nga lokalet e fshatit. Rrapush Seitaj, 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gorishovë të rrethit Fier, mësohet se ka qëlluar me armë zjarri një shtetas me inicialet M.L. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Mësohet se dy të rinjtë kanë qenë në një lokal, ku kanë debatuar për çështje banale. 28-vjeçari ka qenë i pajisur me një armë zjarri tip pistoletë dhe në debat e sipër e ka nxjerrë atë duke qëlluar në drejtim të "kundërshtarit" dy herë. Duke e parë atë të përgjakur, është larguar nge vendi i ngjarjes për t'u shpallur në kërkim nga policia. I dëmtuari është ndihmuar nga kalimtarët dhe klientët që kanë qenë në lokal dhe është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Fierit. Nga bluzat e bardha mësohet se aktualisht ai nuk ka probleme serioze për shëndetin përveç gërvishtjeve të dukshme në kokë. Policia po punon për kapjen e autorit.