E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Kuvendi i PD, Berisha: Delegatët do më votojnë mua kryetar

UPDATE- Ka nisur punimet Kuvendi i Partisë Demokratike. Mbledhjen e ka hapur nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, e cila i është drejtuar me falënderime shqiptarëve për besimin që treguan dhe mandatuan sërish këtë qeveri.

"Ne të gjithë bëjnë më shumë vite, vetëm Shqipëria bëhet me e re dhe më moderne. Falenderojmë shqiptarët për rrugën e progresit"- ka thënë Topalli në fjalën e saj gjatë hapjes së punimeve. Më tej, ajo ka përshkruar atë që e ka cilësuar rrugën e progresit.

Berisha: Delegatët do më votojnë mua

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lënë mënjanë modestinë dhe ka ftuar të gjithë delegatët e kuvendit që të votojnë sot për të, si kryetar partie, edhe pse në garë nuk është regjistruar asnjë kandidaturë tjetër. "Kam besim se delegatët e kuvendit do të votojnë për kandidatët më të mirë, do të votojnë kryetarin e tyre Sali Berisha".Gjatë konferencës së djeshme, Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka theksuar se procesi i sotëm në Kuvend do të jetë transparent dhe se në garën për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar do të konkurrojnë 400 personalitete me karrierë politike dhe profesionale në jetën e PD-së. Kongresi i Partisë Demokratike, i cili do të zgjedhë sot paradite kryetarin e tij, nuk pritet të sjellë surpriza për ndryshime në radhët e selisë blu porsa i përket posteve të larta drejtuese. Aspektet kryesore që do të trajtojë dhe miratojë Kuvendi i sotëm i PD-së janë vetëm zgjedhja e kryetarit të partisë, ndryshimet në statut si dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Komisioni për ndryshimet dhe përmirësimet në statutin e Partisë Demokratike, që udhëheq Sekretari i Përgjithshëm Ridvan Bode, do të paraqesë ndryshimet apo përmirësimet, e propozuara për statutin e partisë. Edhe pse ky komision u ngrit për ndryshimet në statut, anëtarët e këtij komisioni nuk morën parasysh pikat e paraqitura nga anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Aleksandër Biberaj. Ky i fundit propozoi para pak ditësh një paketë të plotë, që në përmbajtjen e saj, kishte pika që sillnin ndryshime thelbësore në statutin e PD-së. Ndërkohë, Kuvendi Kombëtar do të zgjedhë sot anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar, nga 1200 delegatë. Anëtarët e rinj të këtij Këshilli do të zgjedhin në ditët e mëvonshme strukturat drejtuese, kryesinë e partisë dhe sekretariatin. Edhe në këtë fazë të dytë nuk pritet që të ketë ndryshime, pasi siç u shpreh edhe vetë Berisha dje, Kuvendi do të shërbejë për ripërtëritjen e mandateve të organeve drejtuese. Kuvendi Kombëtar do të mblidhet sot në orën 10:00 të paradites. Punimet do të hapen nga nënkryetari i partisë Astrit Patozi, i cili kryeson edhe komisionin për procedurat operacionale dhe elektorale, komision që është përgjegjës për përzgjedhjen e delegatëve.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›