Sot Muja në Gjykatë

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, sot do të paraqitet në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Ruzhdi Berisha, avokat mbrojtës i Mujës tha se gjykimi ndaj Ramadan Mujës, do të rifillojë sot dhe do të zgjatë gjatë tërë muajt shtator.”Gjykimi do të zgjatë gjatë tërë muajt”, tha Berisha për “PrizrenPress”. Sipas tij, gjykimet gjatë këtij muaj do të mbahen çdo ditë, përjashtuar ditët e pushimit. Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja bashkë me drejtorët e tij është duke u përballur me drejtësinë, pasi që Gjykata e Apelit e Kosovës, ka refuzuar kërkesën për hedhjen poshtë të vendimit të Themelores në Prizren për konfirmimin e aktakuzës, transmeton Prizrenipress.
Kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i rëndon një aktakuzë 21 faqesh, me të cilën ai dhe Sadik Paçarizi – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademaj – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimeri – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejeci – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqi – drejtor i Administratës, akuzohen për shpërdorim të pozitës zyrtare në dhënien e disa pronave shoqërore në shfrytëzim për disa kompani, me qëllim të përfitimit personal. Gjyqtari i procedurës paraprake, Vladimir Nikula, kohë më parë ka aprovuar kërkesën e Prokurores që po udhëheq ndjekjen penale, Natasha Vikeri për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit të të pandehurve./Indeksonline/