E Diel, 1 Nëntor 2026

Pritet ndryshimi i emërtimit të Iniciativës qytetare “Serbia”

Sot pritet ndryshimi i emërtimit të listës unike, Iniciativa qytetare “Serbia”. Burime brenda KQZ-së kanë thënë për RTK-në se që në fillim është bërë me dije se një emërtim i tillë nuk mund të kalojë dhe të certifikohet. KQZ po ashtu ka kërkuar që të bëhen disa plotësime të listës për kandidatë.

Edhe Beogradi zyrtarë duket se tashmë e ka të qartë se një emërtim i tillë Iniciativa qytetare “Serbia” është i papranueshëm.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq duke folur për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë, dje ka deklaruar se rreth emërtimit të listës serbe duhet të bisedohet me OSBE-në. Ai ka theksuar se lista duhet të jetë qarte si listë serbe, meqë siç ka theksuar ai, kjo listë vjen nga Serbia.

I menjëhershëm ishte reagimi i OSBE-së sa i përket deklaratës së kryeministrit serb. Zëdhënësi Nikolla Gaon tha se OSBE-ja nuk është e përfshirë në certifikimin e subjekteve politike.

Ai e ka pranuar se emërtimi i iniciativës serbe është problemi më i madh, megjithëse ai pret që kjo të zgjidhet sepse siç ka thënë ai do të ishte shumë më keq që Komisioni Qendror Zgjedhor të mos e certifikojë këtë listë të kandidatëve serbë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›