Sot betimi, Papadimos: Greqia në udhëkryq
ATHINË- Kryeministri i ri grek, i cili pritet te beje betimin sot ne mesdite, Lucas Papadimos, thotë se vendi i tij ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm dhe se nuk do të jetë e lehtë zgjidhja e problemit të borxhit me të cilin po ndeshet ekonomia greke.
Dje udhëheqësit politikë grekë emëruan zyrtarisht zotin Papadimos, ish nënpresident i Bankës Qendrore Evropiane, si udhëheqësin e qeverisë së përkohshme, i cili do ta udhëheqë vendin deri në mbajtjen e zgjedhjeve, ndoshta vitin e ardhshëm. Kryeministri grek Papandreu i dorëzoi atij përgjegjësinë për zbatimin e masave të rrepta ekonomike, të kërkuara nga kreditorët ndërkombëtarë, në shkëmbim të një ndihme tjetër për pagimin e borxhit që ka Greqia.
Zoti Papadimos, i cili do ta bëjë betimin si kryeministri i ri i vendit sot, tha se para tij ka një rrugë aspak të lehtë, për tu përshkruar. Por ai tha se vazhdimi i përdorimit të Euros është një garanci për stabilitetin monetar të vendit dhe se grekët duhet të jenë optimistë për rezultatin përfundimtar, nëse qëndrojnë të bashkuar.
Ekonomisti grek i shkolluar në Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka kandiduar ndonjëherë për post zyrtar, shihet gjerësisht si një personalitet jo partiak. Analistët thonë se ai ka lidhje të mira në kryeqytetet evropiane.
Më herët, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Mark Toner tha se Shtetet e Bashkuara presin me kënaqësi të punojnë kryeministrin e ri dhe se Greqia është një partnere e rëndësishme dhe mike e vjetër e Amerikes. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin konsensusin e arritur në Greqi për nevojën e zbatimit të reformave të kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian.