Sot festohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve
Sot shënohet festa e 1 Qershorit, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve. Në këtë ditë fëmijët bëhen qendra e botës dhe aktivitete të shumta u kushtohen vetëm atyre.
Përveçse një ditë festive, në fakt 1 Qershori duhet të jetë edhe një ditë sensibilizimi për të ndalur dhunën dhe abuzimin me fëmijët, sidomos angazhimin e tyre në punë kur janë ende të mitur. Shumë fëmijë ende shfrytëzohen nëpër rrugët e Tiranës për të lypur, në një kohë që duhet të ishin nëpër bankat e shkollave.
Organizata të ndryshme që veprojnë në Shqipëri në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për indiferencën e shtetit ndaj fatit të këtyre fëmijëve që detyrohen të rrinë nëpër rrugë duke lypur, vjedhur apo shitur trupin e tyre. Në kuadër të kësaj dite, në mbarë vendin organizohen aktivitete të shumta nga kopshtet dhe shkollat për të argëtuar dhe lumturuar fëmijët në ditën e tyre. Në Tiranë është planifikuar edhe një koncert i madh festiv kushtuar tërësisht fëmijëve, ku pritet të përshëndesë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Dita e fëmijëve është vendosur me datën 1 Qershor, sepse me këtë datë është mbajtur konferenca botërore e mirëqenies së fëmijëve në Gjenevë, në 1925.
Në fakt 1 Qershori e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina, por nuk ka të bëjë me komunizmin. Në vitin 1925 konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetimë kinezë të celebronin në festivalin e Anijes së Dragoit. Kjo gjë koincidoi të ishte në të njëjtën ditë me konferencën në fjalë. Festa e 1 Qershorit filloi të festohet pas dy vitesh. Shumë vende të botes e kanë pranuar atë si festen ndërkombëtare të fëmijëve dhe realizojnë festime të cilat kanë si qëllim të rrisin vëmendjen në drejtim të mirëqenies së tyre.
1 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Sot festohet 1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve burimi: Gazeta Shqip