Studimet në Itali, vendosen rregulla të reja
Ministria italiane e Arsimit publikon procedurat dhe afatet për pranimet në universitete
Ministria italiane e Arsimit publikon udhëzimet për regjistrimet e studentëve të huaj për vitin e ri akademik.
Studentët që dëshirojnë të fillojnë procedurën e para-regjistrimit, duhet të caktojnë një takim pranë Ambasadës Italiane përmes shërbimit Prenoto Online, të faqes internet të ambasadës, duke zgjedhur shërbimin Regjistrimet Universitare.
Sipas dispozitave të reja ministrore, ndryshe nga vitet e kaluara, universitetet nuk do tu konfirmojnë përfaqësive diplomatike pranimin e studentëve; vizat për studime universitare do të lëshohen pa këtë konfirmim, për tu informuar mbi pranimin, studentët duhet ti drejtohen direkt universiteteve.
Studentët që dëshirojnë të regjistrohen në kurset e ciklit të dytë duhet të dorëzojnë diplomën universitare, listën e provimeve dhe programin e detajuar për çdo provim. Studentët e regjistruar në vit të fundit të sistemit trevjeçar, që do të marrin diplomën brenda verës së vitit 2012, duhet të dorëzojnë një vërtetim me provimet e dhëna. Diploma përfundimtare do të dorëzohet në ambasadë përpara lëshimit të vizës.
Dokumentet e lëshuara nga institucionet shqiptare duhet të jenë të legalizuara. Dokumentet e shkollës së mesme duhet të vulosen pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale dhe pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Më pas, dokumentet duhet të apostilohen pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar, thuhet në njoftimin zyrtar të ambasadës italiane në Tiranë.
Ndërsa dokumentet universitare duhet të vulosen pranë Rektoratit, të apostilohen nga Ministria së Punëve të Jashtme dhe më pas të përkthehen në gjuhën italiane nga njëri prej përkthyesve të betuar. Nga data 1 deri në datën 31 korrik, studentët që kanë bërë kërkesën për pararegjistrim, duhet ti dorëzojnë Ambasadës Italiane, përmes Albanian Courier, dëftesën e pjekurisë ose diplomën universitare të apostiluar, nëse nuk janë dorëzuar në fazën e parë, si dhe dokumentacionin e nevojshëm për lëshimin e vizës.
Në fazën e dytë nuk do të jetë e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë: të interesuarit do të dorëzojnë dokumentacionin në zarf.
Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet ti paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh nëse banojnë në Tiranë dhe 300 lekësh (përfshirë TVSH) nëse banojnë në qytete të tjera.
Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumentacionit të legalizuar do të kryhet brenda muajit gusht 2012 dhe vizat për studim/universitet do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht deri më datën 31 janar 2012. Lorina Mixha
Ambasada Italiane
Do tu lëshojë vizën studentëve sapo të ketë përfunduar vlerësimi i dokumentacionit dhe do tu dorëzojë të interesuarve pasaportën dhe dokumentet e legalizuara
Studimet në Itali, vendosen rregulla të reja burimi: Gazeta Shqip