E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot inaugurimin i rrugës Meto Asim – Kafaraj, në qarkun e Fierit

14-04-2013 / Gazeta 55

Merr pjesë kryeministri Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha do të marrë pjesë sot në inaugurimin e përfundimit të rikonstruksionit të rrugës Meto Asim – Kafaraj, në qarkun e Fierit.
Rruga, me gjatësi 8.5 kilometër, financim i qeverisë shqiptare, BERZH dhe BEI, me vlerë 238 milionë lekë, lidh 5 fshatra të komunave Frakull dhe Levan me njëra - tjetrën, por edhe me luginën e Vjosës dhe autostradën Levan – Tepelenë.
Segmenti i ri rrugor Meto Asim – Kafaraj është i pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, përfshirë sinjalistikën, kanalizimet e ujërave të bardha, hapësira parkimi, vepra arti dhe mure mbajtës, të cilët janë bërë nga e para.
Fermerët e kësaj zone, të njohur për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, do të kenë mundësi të shesin produktet e tyre jo vetëm në tregun e Fierit, por edhe në tregun e Vlorës.
Ky investim shkurton kohën e udhëtimit 3 herë krahasuar me atë përpara rikonstruksionit të rrugës, duke lehtësuar gjithashtu lidhjen me qendrat administrative, shërbimet arsimore dhe ato shëndetësore.
Me këtë investim, infrastrukturës rrugore të rrethit të Fierit i shtohet edhe një unazë që lidh rrugën Cakran – Qafë e Koshovicës me autostradën Levan – Tepelenë, duke i dhënë më shumë frymëmarrje lëvizshmërisë së mjeteve drejt Vlorës dhe Tepelenës.
Afërsia e këtij segmenti rrugor me autostradën Levan – Tepelene dhe Levan Vlorë do t’u krijojë mundësi banorëve të zonës të lidhen edhe me Vlorën duke rritur kështu mundësitë e lidhjeve ekonomike dhe tregtare.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha do të zhvillojë një takim në formatin town-hall me të rinjtë e shkollave të mesme të qytetit të Fierit.
Ky bashkëbisedim do të jetë ndryshe nga ata të deritanishmit. Komunikimi do të realizohet përmes “You Tube”, ku Kryeministri Sali Berisha do t’u përgjigjet pyetjeve nga videot më “të pëlqyera” që të rinjtë do t’i dërgojnë te “Pyetje për Berishën”.
Gjatë këtij takim në formatin “town hall” do të diskutohet se çfarë mundësish ka ofruar për të rinjtë PD deri tani dhe hapat që do të ndërmerren në mandatin e ardhshëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›