Bulqizë, familjarët e minatorëve në protestë
Familjarë të minatorëve dhe qytetarë të Bulqizës kanë protestuar sërish sot në mbështetje të minatorëve grevistë të cilët vijojnë sot ditën e 9 të grevës së urisë. Protesta ka nisur në hyrjen e qytetit për të vijuar më pas drejt qëndrës së Bulqizës.
Ndërkohë më herët një minator ka lënë grevën e urisë si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Minatori Sali Alliu 44 vjeç është larguar nga greva pas komplikacioneve që ka pasur gjatë natës dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Burrelit për të marrë ndihmën mjekësore.
Ndërkohë përfaqësuesit e minatorëve kanë paralajmëruar paraditen e sotme një tubim në qendër të qytetit të Bulqizës për të kërkuar plotësimin e kërkesës së fundit të minatorëve për largimin e drejtorit të minierës Medat Zogu.
Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kompania “ACR” ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se ka pranuar të gjitha kërkesat e minatorëve, si rritjen e pagës me 20 përqind, pagesën e plotë të një muaji greve, pagën e 13-të, nisjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në minierë dhe të sigurisë në punë.