Sot luhet vetëm Besëlidhja-Dinamo, të tjerat shtyhen

Futbolli shqiptar ndalet edhe për 24 orë të tjera. Kampionati po përjeton një kolaps të plotë. Java e 24-të, e shtyrë javën e kaluar për shkak të tragjedisë së Gërdecit duket se nuk do të luhet kurrë. Të paktën jo sot.
Burime të nivelit të lartë brenda FSHF-së pohuan për Albania-sport.com se ndeshjet janë shtyrë edhe për 24, pra pritet të luhen ditën e dielë. Ndërkohë që pesë takimet e tjera janë shtyrë, vetëm ai Besëlidhja-Dinamo do të luhet, pasi dhe dy klubet nuk janë të përfshira në konfliktin e krijuar dhe nuk kanë mbështetur qëndrimet e shtatë klubeve rrebele.
"Aktualisht jemi në mbledhje, së bashku edhe me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe dy përfaqësues të shtatë klubeve", - tha në linjë telefonike Ilir Shulku, shefi i Sektorit të Garave. "Një gjë është e sigurt tani për tani, ndeshjet do të luhen të dielën, në orën 15:30".
Të premten në mbrëmje përfaqësues të lartë të shtatë klubeve të Kategorisë Superiore, përfshirë donatorin e kampionëve në fuqi, Tiranës, donatorin Refik Halili, kërkuan bojkotomin e kampionatit deri në shpalljen e datës së Asamblesë së Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Bojkotimi masiv i kampionatit të kategorisë maksimale ndodh për herë të parë në Shqipëri, ndërkohë që shtyrja është një ide e drejtuesve të FSHF-së për të pasur edhe kohën e duhur në dispozicion për të arritur një zgjidhje të pëlqyeshme midis dy palëve të pozicionuar shumë qartë dhe diametralisht të kundërta në opsionet e tyre për zgjidhjen e krizës pas pezullimit të Shqipërisë nga qeveria e futbollit botëror, FIFA dhe ajo europiane, UEFA.
Mesa duket ultimatumi i FSHF-së për zhvillimin e ndeshjeve të prapambetura të javës së 24-t nuk i trembi drejtuesit e shtatë klubeve.
Nga Elbasani pohuan se kryetari i Bashkisë së Elbasanit, njëherësh edhe një nga aksionerët e klubit verdheblu kishte kërkuar shtyrjen e ndeshjes Elbsani-Skënderbeu, ndërkohë që në kampin e kuq, të gjithë lojtarët e Partizanit janë në shtëpitë e tyre për të ndjekur ndeshjet e kampionateve të huaja.
Në orën 15:00 në selinë e FSHF-së pritet të zhvillohet edhe një takim urgjent midis Komitetit Ekzekutiv dhe përfaqësuesve të shtatë klubeve më të mëdha të vendit ku pritet edhe një konferencë për shtyp.
Përfaqësuesit e klubeve do të takohen me presidentin Armand Duka për t'i bërë të ditur atij edhe qëndrimet e tyre me të fundit dhe opsionin që ofrojnë ata për zgjidhjen e krizës që ka marrë përmasa ndërkombëtare, parë dhe faktin se për zhvillimet e futbollit shqiptar është interesuar vetë presidenti i FIFA-s, Sep Blater.