Sheshi “Skënderbej” fillon puna për asfaltimin
27/03/2010 Specialistët e rrugëve nisin matjet. Brenda një jave llogaritet kostoja e projektit
Vetëm tre ditë pas kërkesës së Kryeministrit, Sali Berisha, për asfaltimin e sheshit “Skënderbej” në qendër të Tiranës, specialistët e Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit kanë nisur matjet në qendër të sheshit për nxjerrjen e kostove dhe realizimin e projektit. Këto lëvizje ndodhin menjëherë pasi qeveria paralajmëroi se nuk do të presë Bashkinë të rikonstruktojë sheshin në qendër të Tiranës, porse mund të nisë vetë nga asfaltimet. Inxhinierja Aleksandra Mahmutllari deklaroi dje se “topografë të Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve kanë nisur marrjen e të dhënave në shesh që më pas të bëhet projekti për rikonstruksionin. Projekti sigurisht do të shoqërohet me preventivet e punimeve”. Ndërkohë dhe zv/drejtori i Drejtorisë së përgjithshme të Rrugëve, Skënder Cota, bëri të ditur se “menjëherë sapo të përfundojë matja do dalë dhe kostoja e projektit. Së shpejti do të nisë procesi për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. Sheshi “Skënderbej” është kthyer këto ditë në një konflikt të hapur mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Pak ditë pasi Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, njoftoi se do të nisë së shpejti nga puna për sheshin “Skënderbej”, porse qeveria nuk po bën shpronësimet, Kryeministri Sali Berisha ka reaguar se deklaratat e Ramës janë një turp. Në mbledhjen e para tre ditëve të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha kërkoi nga Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, që në bashkëpunim me autoritet vendore të Tiranës, të marrin masa të menjëhershme për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, duke bërë fillimisht planin e asfaltimit të sheshit. “Ka të paktën dy vjet që paratë janë disponibël. Çdo gjë është disponibël. Të shkosh nga xhamia në hotel “Tirana” është një udhëtim në horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Nuk ka njeri ndërmend të marrë kompetencat e pushtetit vendor, por nuk mund të lejohet një situatë diskredituese”, deklaroi Kryeministri. Ndërkohë menjëherë pas kësaj deklarate të shefit të qeverisë, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, shprehu tre dit më parë gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, ndërsa deklaroi se "Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë projekt për sheshin “Skënderbej” edhe pse qeveria i ka siguruar fondet dy vite më parë". Porse Bashkia nga ana tjetër e kundërshton këtë nisme të qeverisë pasi siç shprehen burime nga ky institucion, për sheshin ekziston një projekt që i ka dhe financimet, por has në pengesa nga qeveria.
Reagimi
Shalësi: Asfaltimi i sheshit, para të hedhura kot
Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, akuzoi qeverinë se po pengon punimet në projektin e rehabilitimit të sheshit “Skënderbej” duke hedhur para në asfaltimin e tij vetëm pak ditë para nisjes së punimeve për projektin e ri të Bashkisë së Tiranës. “Nëse qeveria kërkon vërtet të bashkëpunojë siç pretendon, atëherë duhet të bëjë shpronësimet që i kërkohen prej kohësh nga Bashkia e Tiranës, për t’i hapur rrugë kështu nisjes së punimeve në projektin e mbetur pezull prej kohësh”, tha deputeti Eduard Shalsi, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. “Qeveria duhet të bëjë shpronësimet në mënyrë që të menaxhohet në rrugët dytësore trafiku që krijohet nga bllokimi i sheshit”, vijoi më tej Shalsi. Ai tha se projekti i Bashkisë së Tiranës për sheshin “Skënderbej”, është në fazën e përfundimit, pasi janë zgjedhur edhe kompanitë zbatuese. Për të zbatuar projektin e Bashkisë për rehabilitimin e sheshit “Skënderbe” po punohet paralelisht për rikonstruksionin e rrugëve: “Bardhok Biba”, “Urani Pano” dhe rruga pas Pallatit të Kulturës. Rrugët e sipërpërmendura janë parashikuar për përballimin e flukseve transit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Rikonstruksioni i këtyre rrugëve do të krijojë një frymëmarrje për transportin kryeqytetas, në kuadër të fillimit të zbatimit të projektit të sheshit “Skënderbej”. Ndërkohë, shkaku kryesor për vonesat në realizimin e këtij projekti të madh mbetet shpronësimi i domosdoshëm që hap arterien e Unazës së Vogël te godina e INSIG-ut dhe që mundëson devijimin e të gjitha makinave, të cilat sot kalojnë detyrimisht në sheshin “Skënderbej”, shpronësim i cili duhet të bëhet nga ana e qeverisë.