Sot mblidhet Kongresi i PS-së, zgjidhet Asambleja Kombëtare
Partia Socialiste do të mbledhë sot Kongresin për të miratuar programin e ri politik, ndryshimet në statut dhe për të zgjedhur Asamblenë Kombëtare. Kandidatët nga e gjithë Shqipëria do të mblidhet në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve.
Pritet që menjëherë të miratohet Komisioni i Garancive Statutore, i cili do të vijojë punën me verifikimin e mandateve të të gjithë delegatëve. Më pas, fjalën hapëse do ta mbaj kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili do të fokusohet në fjalën e tij tek ndryshimet e programit politik dhe alternativën që ofrohet nga socialistët.
Burime nga selia rozë bëjnë të ditur për gazetën Shekulli se në punimet e Kongresit do të jetë i pranishëm dhe një delegacion i PASOK-ut. Krahas fjalës së kryesocialistit do të shfaqen në një ekran të madh, i cili do të jetë i vendosur në qendër të sallës, mesazhe përshëndetëse të Internacionales Socialiste, të Partive Socialiste Evropiane ku PS bën pjesë, si edhe një mesazh nga grupi socialist në Parlamentin Evropian.
Pas fjalimit dhe mesazheve përshëndetëse, mbledhja do të vijojë punimet me dyer të mbyllura. Për më shumë se dy orë është parashikuar që të diskutohet nga të pranishmit mbi programin e ri politik dhe ndryshimet në statut. Pritet që të ketë diskutime dhe nga deputetët që njihen si pjesë e grupimit të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS.
Punimet e Kongresit do të fokusohen tek zgjedhja e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare. Në lidhje me emrat që do të zgjidhen është diskutuar gjatë në selinë e PS-së. Lista është menaxhuar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe sekretari Organizativ në Partinë Socialiste, Blendi Klosi.