Sot mbushen 103 vjet nga krijimi i Kongresit të Manastirit

Sot mbushen 103 vjet nga krijimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo datë është ditë feste për shqiptarët e Maqedonisë. Në qytetin e Manastirit ku u mbajt Kongresi nga personalitetet e kohës, sot zhvillohen manifestime të ndryshme kulturore.
Zyrtarë qeveritarë, deputetë shqiptarë të Parlamentit të Maqedonisë dhe shoqata joqeveritare pritet të vizitojnë shtëpinë e Alfabetit, e cila është shndërruar në muze.
Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Drejtuesit e këtij klubi, menjëherë pas themelimit të tij, e shpallën zgjidhjen e kësaj çështjeje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare.
Gjatë muajve gusht-shtator, pasi kishte marrë edhe pëlqimin e klubeve e të shoqërive të tjera atdhetare, klubi i Manastirit ndërmori masat konkrete për thirrjen e kongresit kombëtar për çështjen e alfabetit.
Kongresi u hap në Manastir më 14 nëntor 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote.
Kongresi i Manastirit u shndërrua kështu në një kuvend të vërtetë mbarëshqiptar, në të cilin morën pjesë gjithsej 50 delegatë nga të gjitha anët e Shqipërisë, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të SHBA-së, të Egjiptit, të Italisë etj.