Sot mund të trafikohet edhe (mos)mirënjohja
Dëgjojmë përditë për trafik të mishit të bardhë, të drogës, të organeve, të armëve, të mallrave, të trojeve, të deputetëve, të infl uencës, por ja që paska edhe trafikim të mirënjohjes. Të Fjalës së shkruar e të Fjalës publike. Mbi/me këtë parim patriarkal të (mos)mirënjohjes së shprehur, më shumë politik se “moral”, tribal se demokratik, janë ndërtuar e po mbahen më këmbë jo vetëm partitë, por pushtetet dhe institucionet bashkë me marrëdhëniet ndërinstitucionale e ndërshtetërore. Në këtë biçim sistemi deledash, as diktaturë e as demokraci, (mos)mirënjohja ka dalë nga sfera e moralit e ka hyrë në politikë duke marrë një tjetër kuptim vartësie, pëlqimi, vlerësimi. Parimi i trashëguar e folklorik i mirënjohjes sot shqipërohet si medemek “shtetformues”, si “parti-ndërtues”, si institucion-formues, si qeveri-mbajtës, si media e lirë, madje edhe si një akt demokratik, ndërsa në praktikë zbatohet kësisoj: UNË (kupto: kryetari i partisë) të nxora ty filan-fistek nga bota e hiçit e të dhashë këtë post, këtë ofiq, këtë pronë, këtë gradë, këtë titull. Të bëra ministër, deputet, kryetar Bashkie, pronar, pasunar, akademik, analist, etj, etj. Të lejova të zbresësh nga malet e të vish në Tiranë, të ndërtosh shtëpi në truall të tjetërkujt që t’i, bashkë me sojesorrollin tënd të më jeni mirënjohës MUA për tan’ jetën, përndryshe do të quheni tradhtarë, mosmirënjohës, bukëshkalë, me një fjalë armiq të mi e pse jo edhe të kombit!
Sendërgjia në fjalë rrëfen mënyrën se ç’ka është hedhur në këto vite në themelet e institucioneve dhe të pushteteve tek ne. Klientelizmi, nepotizmi, mercenarizmi, partitizmi, shfytyrimi në të gjitha nivelet e nëpunësisë për shkak të besës partiake dhe të mirënjohjes së një skllavi ndaj pronarit, shpesh në kundërshti me respektin për Ligjin, mbështetjen morale e paska te “besnikëria” vertikale, nga poshtë lart, që presupozon kjo lloj marrëdhënie bajraktërore: Të kam bërë këtë nder, të kam dhënë liri, post, emër dhe prona që nuk të takojnë, ndaj duhet të më shërbesh, të më votosh, të bësh si të them unë, pavarësisht bindjeve që ke. Këtë dukuri tribale mund ta vesh re në çdo seancë kuvendore apo të këshillave bashkiake, në çdo debat televiziv ku përleshen “mirënjohësit” e sotëm partiakë e sidomos nëpër firmat që hedhin të vegjlit në tendera.
Kur kryeministri në një intervistë televizive u pyet për qëndrimin e tij ndaj Presidentit të Republikës, ai tha që zoti Topi nuk ishte treguar mirënjohës me partinë e tij, duke shkelur programin dhe statutin e partisë, pra nuk i kishte qëndruar besnik besës së dhënë partisë (Kur thuhet partisë, vetëkuptohet, Berishës, sipas të cilit mosmirënjohja për nderet e bëra nuk asht njerëzi!). Shumëkush beson se ai ka të drejtë sepse është e vërtetë që ne ende nuk jemi të çliruar nga tribalizmi, ndaj ja vlen të analizohet thënia e tij e sinqertë, aspak e rastësishme, pasi e njëjta ide u shfaq, me të njëjtin kuptim e rëndesë, disa ditë më parë edhe tek ‘Opinioni’ i Fevziut.
“Ai (Topi) është presidenti i refuzimit, refuzimi që i bëri ligjit të lustracionit. Ky i djathtë që këndonte majtas. Qëndrimi i tij dhe implikimi i tij në ngjarjet e 21 janarit në mënyrë absolute, kjo shumicë ka dhënë besim ndaj tij dhe ka një moment në qëndrimin e njeriut, ajo që quhet njerëzi. Ka një thelb dhe ajo është mirënjohja, unë nuk ndërtoj asnjë raport mbi bazat personale, por për ata që të vendosën në karrigen më të lartë të shtetit tregove se kishe zero mirënjohje…zero njerëzi dhe në këtë kontekst ta lemë në këto muajt që i kanë mbetur”… (gabimet drejtshkrimore nuk janë të miat, po të zotërisë në fjalë, pasi teksti është shkëputur me besnikëri nga regjistrimi televiziv). Vini re si e shpjegon (mos)mirënjohjen kryeministri i viti 2011 për Presidentin e Republikës të po këtij viti: “…Për ata që të vendosën në karrigen më të lartë të shtetit tregove se kishe zero mirënjohje, zero njerëzi”. Kthimi mbrapsht i një sërë ligjesh, si ai i lustracionit apo i pronave, mosmiratimi i disa kandidaturave të PD-së për poste të larta, qëndrimi “i ngrirë” për kufijtë detarë me Greqinë, distancimi nga kobet e 21 Janarit dhe Gërdecit janë pjesa e dukshme e “mungesës së njerëzisë dhe e mosmirënjohjes” së Topit, këtij ish-vartësi dhe ish-nënkryetari të cilin Berisha, siç dihet, e emëroi President jo vetëm me votat e pamjaftueshme të grupit të vet parlamentar, po edhe me trafikim votash nga e majta. Prandaj fraza e mëposhtme e tij: “Në këtë kontekst ta lemë në këto muajt që i kanë mbetur”, - nënkupton reagimin kërcënonjës që Topi jo vetëm nuk do të jetë më kandidat për President, por edhe si mund të guxojë ky ish vartës të cilin UNË e ngrita në postet më të larta të PD-së e më pas edhe në më të lartin e shtetit, të më mos më vijë pas avazit, të më kundërshtojë, d.m.th të jetë mosmirënjohës ndaj meje, qoftë edhe duke shkelur mbi Kushtetutën?
***
Është e qartë se në bindjen e Berishës (për të qenë i drejtë, jo vetëm të tij, po të të gjithë kryetarëve të partive, qeverive, bashkive, etj, që kanë në dorë emërim-shkarkimet), zotëron kjo mendësi, kjo ide fikse e një sovrani-bajraktar tipik ballkanik, të gjithëpushtetshëm, prej të cilit varen të gjithë nëpunësit dhe pushtetet. Duhet të kuptojnë të gjithë se po të mos doja UNË, Topi, Jozefina, Basha e të gjithë kallamkusurët e tjerë do të ishin një askush! Pushtetin pra ju a kam dhënë UNË dhe jo zgjedhësit, as institucionet, as sistemi! E pra, shpërndarja e kësollojtë e pushtetit, e fuqisë, e parasë, e pasurisë, e lavdisë, e plaçkës në këmbim të klientelizmit d.m.th të “mirënjohjes” për kryetarin që të vendos ose të heq nga lista, përbën në fakt thelbin e mercenarizmit, por kurrsesi të shtetit të së drejtës, të një shoqërie demokratike, ku ligjin e bën vetëm Ligji dhe jo nderet e favoret që jepen për trafikim të votës, të fytyrës, të Fjalës, të nderit, të bindjeve, të interesave të përbashkëta, të vlerave morale. Shkaku kryesor pse tek ne nuk ka institucione të pavarura, zyrtarë, gjykatës, komisarë policie, burra e gra me dinjitet dhe integritet të mjaftueshëm duhet kërkuar pikërisht te kjo ngjizje, te ky inçest i “mirënjohjes” tradicionale me shitblerjen e emrit dhe të dinjitetit, d.m.th me mercenarizimin.
Duke vazhduar në këtë hulli, vetiu lindin mëdyshje të tjera, akoma më të thikta: Sa të qëndrueshme presupozohet të jenë marrëdhëniet institucionale, partiake, të ndërtuara me tribalizëm e klientelizëm, d.m.th me/mbi një “mirë(mos)njohje” të tillë? Pikërisht kjo frikë i bën krerët të dyshojnë e të transformohen me kalimin e kohës në paranojakë: Po sikur nesër të sillet si Topi edhe Lul Basha, të cilin Berisha e solli nga Kosova që ta fuste në KOP, për ta bërë më pas deputet, disa herë ministër, e më në fund duke bërë të pamundurën e të pabërën e emëroi edhe kryetar të Bashkisë së Tiranës? Po Jozefina a do të ishte kryetare e Kuvendit, nëse nuk do të donte Berisha? Le të dalë qoftë edhe një deputet apo ministër i grupit të PD-së, n’daç edhe nga kryetarët e “partiçkave” vasale të koalicionit e të thonë se ai/ajo/ata do të ishin sot deputetë e ministra, nëse nuk do të jepte miratimin e pëlqimin Berisha?! Shumica e të ardhurve të rishtarëve partiakë besojnë sinqerisht se këtë nder ua ka bërë në një krah Saliu, në tjetrin Rama. Ndaj edhe pa fushatë, mirënjohja e tyre përherë do të transformohet në votë më shumë për të/ta se për PD ose PS Berisha flet dy e tri herë në televizor jo për t’i bindur këta zgjedhës, por për të forcuar bindjen te këta skllevër të mirënjohjes se ai ka qenë e ka mbetur i pathyeshëm, i pazëvendësueshëm, i pagabueshëm! E vetmja mënyrë për të mbajtur të paprishur stanin si dhe për të shuar këtë frikë paranojake mbetet dhuna e pareshtur verbale mbi plangprishësit, sulmi frontal e i pandërprerë mbi armiqtë “mosmirënjohës”! Për këtë arsye Topi do të bëhet “në muajt që i kanë mbetur”, model i një “masakrimi” shembullor verbal nga Ai e paskësaj edhe nga të vetët.
***
Në korridoret e partive, në të gjitha zyrat e shtetit, qendrore e lokale, kush nuk është mirënjohës ndaj kryetarit nuk quhet besnik dhe kush nuk është besnik automatikisht është armik. Mbi këtë parim janë ngritur partitë, qeveritë dhe hierarkitë në këto njëzet vjet sherr-pluralizëm. Ky quhet “unitet” i çeliktë, garanci e siguri për një udhëheqës ballkanik e posaçërisht shqiptar sepse, afërmendsh a nuk do të shthurej kësisoj përfundimisht gardhi, po të mungonte e po të mos dëshmohej me prova mirënjohja e vartësve (kupto: bindja e tyre pa kushte)? A nuk do të shembej si dylli në diell e gjithë piramida e ndikimit, e pushtetit, e karizmës së Berishës etj, po të mos detyroheshin/edukoheshin/dhunoheshin kësisoj të gjithë vartësit, zyrtarët e shtetit, militantët e partisë bashkë me aleatët të besonin përulësisht se pa Berishën askush syresh nuk do të mund të ketë pushtet, emër, fuqi, lavdi, pasuri, karrierë…, pra nuk mund të ketë të ardhme?
Ky pra është kuptimi politik i “mirënjohjes” së sotme: T’i mbetesh përjetë borxhli një udhëheqësi dhe jo meritave e vlerave të vetes, aq më pak një sistemi demokratik, i cili në të vërtetë mbahet ngritur me metoda bajraktërore, me mjetet e mirënjohjes së qytetarit-skllav, përndryshe të mercenarëve besnikë të destinuar e të detyruar të shërbejnë pa kushte, si kamikazë duke vënë nderin dhe emrin, po edhe kokën, në rrezik, sigurisht jo për bindje po për të mbrojtur Atë! Ja përse tek ne gjenden aq kollaj, aq rëndom e aq shumë faqezinj që pranojnë të përdoren për të gënjyer, për trafikimin e votave, duke u bërë ristanë, kush për një thes me miell, kush për t’u veshur polic e kush për të t’u bërë deputet apo ministër. Ndryshimi qëndron natyrisht, vetëm te çmimi që ka vënë mbi emrin tënd Ai, Njëshi.
Andaj për shumë arsye të qenësishme, njëlloj si morali, si Fjala publike dhe nderi, si plaçkat e Gabit edhe mirënjohja mund të blihet dhe shitet si çdo mall. Sot ky është malli më i kushtueshëm dhe më me vlerë.(Mos)mirënjohja duhet të pranohet e të shfaqet hapur, ndryshe nuk ka vlerë. Fillimisht nëpër ekrane e forume, si besa e një kurrkushi drumepre me një kreshnik të lartë partiak, besë që nuk ka asnjë lidhje me bindjet politike, me moralin e idetë, me platformat e programet me qëllimin kombëtar e qëndrimin pozitiv a negativ të një udhëheqësi. Kësisoj edhe (mos)-mirënjohja e Topit për Berishën si dhe përplasja e tyre bash për këtë shkak, është ndoshta dhurata më e çmuar që na u ofrua falas ne shqiptarëve në këto ditë festash për të kuptuar se si janë sendërtuar raportet në nivelet më të larta të shtetit të sotëm demokratiko-bajrakatëror. Po a mjafton kjo? Kam frikë se jo…