E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot në Kuvend, ngritja e komisionit hetimor, votimi javën e ardhshme

TIRANË - Me 126 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi vendosi qe shqyrtimin e kërkesës së Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e kaluara ta beje në seancën e 23 dhjetorit.

Ne fjalën e tij, përpara votimit kryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste Gramoz Ruci tha se nuk ka arsye që ngritja e komisionit të shtyhet me një javë, ai tha se ai mund të ngrihet që sot.

"Të hetohen zgjedhjet e qershorit, por jo si hetimi në rastin e Shkodrës. Do presim datën 23, por s'ka arsye për këtë zvarritje për komisionin hetimor"- u shpreh Ruci

Ndërkohë kreu grupit parlamentar I Partisë Demokratike Astrit Patozi, deklaroi se PD është e gatshme të votojë ngritjen e komisionit hetimor më 23 dhjetor.

"Ta konsiderojmë shqyrtimin e javës së ardhshme si një shans real që i jepet nismës tuaj"-tha Patozi


***

Konferenca e Kryetarëve pranoi dje kërkesën e riformuluar të Partisë Socialiste për ngritjen e Komisionit Hetimor për Zgjedhjet e Përgjithshme parlamentare. Nga dy variantet e paraqitura nga opozita, mazhoranca ka rënë dakord për variantin e parë, sipas të cilit të dy palët do të kenë numër të njëjtë në Komisionin Hetimor, ndërsa kryetarin do ta këtë PS-ja. Për shkak të marrëveshjes dhe të vendimmarrjes, kryetari do të ketë dy vota. Kjo do t'i krijojë mundësi opozitës që të miratojë të gjitha nismat e saj në mbledhjet e komisionit. Pika, e cila ndau palët në qëndrimet e tyre kishte të bënte me caktimin e datës së shqyrtimit në Kuvend të kërkesës së 35 deputetëve për ngritjen e një komisioni hetimor për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve. Socialistët kërkuan me ngulm zhvillimin e saj ditën e sotme, ndërsa demokratët nuk lëvizën nga qëndrimi i tyre për miratimin e kërkesës më datë 23 dhjetor që është edhe seanca e fundit plenare për këtë vit.

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të zhvilluar me dyer të mbyllura mazhoranca dhe opozita ranë dakord për ngritjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e kaluara parlamentare sipas kërkesës së riformuluar të PS-së. Opozita i dorëzoi mazhorancës dy variante për përbërjen e Komisionit Hetimor, si dhe emrat e saj për anëtarët e këtij Komisioni. Në ndryshim nga opozita, të gjithë emrat e paraqitur nga Partia Demokratike janë anëtarë të Komisionit të Ligjeve. Emrat e propozuar nga mazhoranca janë: Ilir Rusmali, Gent Strazimiri, Aldo Bumçi, Arenca Trashani, Edi Paloka, Eduard Halimi dhe Enkelejd Alibeaj.

E vetmja pikë, në të cilët palët u ndanë ishte data për caktimin e datës së shqyrtimit në Kuvend të kërkesës së opozitës për ngritjen e komisionit. Për këtë pikë palët, ashtu si në mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve të Zhvilluar më datë 6 dhe 13 dhjetor, nuk arritën që të dalin me një vendim duke ja lënë seancës së sotme plenare fjalën e fundit. Gjatë mbledhjes kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi kërkoi shqyrtimin e saj në seancën e sotme parlamentare ndërsa mazhoranca kërkoi më shumë kohë, për tu shfrytëzuar, sipas saj, për shqyrtimin me kujdes të kërkesës së mazhorancës edhe nga deputetët e tjerë.

Kreu u grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi ka kërkuar caktimin e datës 23 dhjetor. Demokratët kërkuan që kërkesa të kalojë në Komisionin e Ligjeve në mënyrë që anëtarët e këtij komisioni ta shqyrtojnë atë nga ana formale, por kjo u cilësua një pretekst nga opozita me qëllim zvarritjen e ngritjes së Komisionit Hetimor. Duke mos gjetur gjuhën e përbashkët, Konferenca e Kryetarëve ia la seancës së sotme plenare caktimin e datës së shqyrtimit të kërkesës.
"Kur në Konferencën e Kryetarëve nuk arrihet mirëkuptimi për kalendarin e punimeve, Kryetari i Kuvendit e harton vetë atë dhe ia paraqet për miratim Kuvendit në seancë plenare. Pas diskutimit për jo më shumë se 10 minuta për çdo grup parlamentar, kalendari përfundimtar miratohet në Kuvend. Këshilli i Ministrave, një kryetar grupi parlamentar ose shtatë deputetë mund të paraqesin me shkrim propozime për ndryshime në kalendarin e punimeve. Kuvendi vendos me votim të hapur, pasi dëgjon për jo më shumë se pesë minuta një folës pro dhe një folës kundër ndryshimeve të paraqitura", - thuhet në nenin 27, pika 4 të Rregullores së Kuvendit.

Skema e parë e PS-së
Opozita parashikon uljen e numrit të anëtarëve të komisionit hetimor nga 15 në 14. Sipas këtij propozimi, mazhoranca dhe opozita kanë përfaqësim të barabartë me nga shtatë anëtarë secili. Pavarësisht numrit të barabartë, shumicën në vendimmarrje do ta ketë opozita, pasi socialistët kërkojnë që kryetari i komisionit të jetë përfaqësues i opozitës dhe për efekt të vendimmarrjes dhe prezencës në komision, kryetari të gëzojë të drejtën e dy votave.

Skema e dytë
Në variantin e dytë të paraqitur nga opozita parashikohet që komisioni të përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve tetë të jenë përfaqësues të mazhorancës dhe shtatë të janë përfaqësues të opozitës. Ashtu siç e përcakton edhe ligji për Komisionet Hetimore, Kryetari i komisionit është përfaqësues i opozitës. Sipas propozimit të Partisë Socialiste, për efekt të vendimmarrjes dhe prezencës në komision, kryetari i tij të gëzojë të drejtën e tri votave. Në këtë situatë, mazhoranca do të kishte tetë vota në komision, ndërsa opozita do të kishte nëntë vota (gjashtë vota të anëtarëve dhe tre të kryetarit).



Emrat e opozitës
Fatmir Xhafaj
Armando Subashi
Asllan Dogjani
Ermonela Felaj
Damian Gjiknuri
Ilir Beqja
Saimir Tahiri

Emrat e mazhorancës
Ilir Rusmali
Gent Strazimiri
Aldo Bumçi
Arenca Trashani
Edi Paloka
Eduard Halimi
Enkelejd Alibeaj



Njoftimi i Kuvendit
Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot, nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe mori në shqyrtim kërkesën e riformuluar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor "Për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë Qershor 2009". Në mbledhjen e datës 06.12.2010, Konferenca e Kryetarëve i kishte kërkuar grupit nismëtar, plotësimin e kërkesave formale-juridike të parashikuara nga ligji. Për datën e ngritjes së komisionit hetimor do të vendosë Kuvendi.

Debate
Topalli: Hapim mbledhjen për shqyrtimin e kërkesën së riformuluar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor "Për hetimin e shkeljeve të ligjit në përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë Qershor 2009".
Astrit Patozi: Duam më shumë kohë të konsultohemi për propozimet tuaja, ndaj duhet të diskutohet më 23 dhjetor.
Gramoz Ruçi: Ju s'keni vullnet politik për të zgjidhur krizën. Ne hartuam ndryshime sipas merakut tuaj që propozimi të vinte konform ligjit.
Astrit Patozi: Të njoftohet seanca për këtë dhe komisioni të ngrihet të enjten tjetër. Të krijohet mundësia që ta diskutojë dhe komisioni i ligjeve. Tani ka bazë ligjore kërkesa dhe për ta kaluar ka kohë për 7 ditë, të shprehet Komisioni i Ligjeve paraprakisht, të kalojë në seancë. S'ka asnjë lloj problemi, derisa e ngremë...
Dokle: S'ka nevojë të diskutohet fare në komision të ligjeve, sepse neni 25 i rregullores përcakton qartë se "Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të veçantë.

Cili do të jetë objekti i komisionit hetimor

Komisioni Hetimor i kërkuar nga opozita ka afat maksimal të përmbushjes së detyrave 4 muaj, afat i cili fillon që nga dita e miratimit të tij në seancë plenare. Objekt i veprimtarisë së këtij komisioni (për sa lejon Ligji Nr. 8891, datë 02.05.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit") do të bazohet në materialet, dokumentet ose provat që kërkohen të administrohen për qëllime hetimore, përjashto fletët e votimit që gjenden në kutitë e fletëve të votimit në kuptim të nenit 119, pika 3 të Kodit Zgjedhor. Procesi i hetimit do të përfshijë administrimin e të gjithë dokumentacionit zgjedhor që përfshihet në kutitë e materialeve zgjedhore, të cilat ngarkohet KQZ t'i ruajë dhe t'i vendosë në dispozicion të Komisionit Hetimor të Kuvendit në kohën, vendin dhe mënyrën e përcaktuar prej Komisionit Hetimor. Komisioni do të ketë kompetencë që të hetojë dyshimet e ngritura nga partitë politike, si dhe vëzhguesit vendas e ndërkombëtarë për proces të parregullt votimi në qendrat e votimit, kryesisht lidhur me zbatimin e ligjit nga komisionet e qendrave të votimit në mënyrën e votimit, identifikimin e shtetasve në momentin e votimit; pasqyrimi i të dhënave përkatëse të dokumentit të identifikimit në rubrikën përkatëse të listave të votimit; mundësinë e votimit më shumë se një herë nga shtetas të ndryshëm e votimit familjar; pasqyrimin e të dhënave përkatëse në procesverbalin e mbylljes së votimit dhe në librin e protokollit të mbledhjeve të Komisioneve të Qendrave të Votimit. Në përfundim të punës së tij, Komisioni hetimor bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime lidhur me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, rekomandime për reformën zgjedhore për ndryshime apo miratime ligjesh dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›