E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni hetimor, votimi javën e ardhshme

Partia Demokratike, duke iu përgjigjur kërkesës së Partisë Socialiste, ka deklaruar se është e gatshme që javën e ardhshme, më 23 dhjetor të votojë ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Deklarata është bërë nga kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili ka theksuar se vetë mazhoranca është e interesuar për ngritjen e komisionit, për t’i hequr PS-së “alibinë” e saj për humbjen e zgjedhjeve.

“Ne dhe vetëm ne duam që kjo kërkesë të miratohet dhe që komisioni të ngrihet. Jo sepse kemi ndërruar mendje për zgjedhjet e 28 qershorit, por duam që ai të ngrihet sepse duam t’ju carmatosim, t’ju caktivizojmë, që të mos endeni si një rrezik publik në rrugët e Shqipërisë dhe botës. T’ju heqim alibinë për zgjedhjet që humbët dhe ato që do të humbni gjithashtu”, ka pohuar Patozi, i cili ka nënvizuar se aktiviteti i komisionit duhet të jetë brenda kornizave kushtetuese.

“Unë mendoj ta bëjmë javën e ardhshme shqyrtimin e kësaj kërkese, në mënyrë që komisioni të ngrihet dhe zgjedhjet të hetohen. Javën e ardhshme të miratojmë komisionin parlamentar për hetim brenda kornizave kushtetuese”, është shprehur Patozi.

Nga ana tjetër deputetët e Partisë Socialiste kanë reaguar duke e vlerësuar si të pavend shtyrjen e ngritjes së komisionit, duke theksuar se ai mund të miratohej që sot.

“Të hetohen zgjedhjet e qershorit, por jo si hetimi në rastin e Shkodrës. Do presim datën 23, por s’ka arsye për këtë zvarritje për komisionin hetimor”, ka deklaruar kreu i grupit socialist Gramoz Ruci.

“S’ka arsye që ngritja e komisionit të shtyhet për një javë, mund të ngrihet që sot. Por ne do presim pasi zvarritjet tuaja kanë trembur këdo, shqiptarët dhe evropianët. Ju jo vetëm nuk dëgjoni opozitën, por nuk keni pranuar as rezolutën e BE”, është shprehur pas tij deputeti Namik Dokle.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›