E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama ka zgjedhur ngjyrat e dritave

16/12/2010  Qeveria i kërkon Protokollit të Shtetit të përcaktojë dekorin e Tiranës

“As kullën Eiffel nuk e ndriçojnë në atë mënyrë”

Në mbledhjen e djeshme të qeverisë kryeministri Berisha përsëriti sërish kërkesën e tij që “Protokolli i Shtetit të marrë përsipër përcaktimin e dekorit të Tiranës.” Duke u nisur nga dekori i kryeqytetit me rastin e festave të fundvidit, kryeministri tha se bulevardi kryesor i kryeqytetit “Dëshmorët e Kombit” duhet të ketë ngjyrat dhe dritat që përfaqësojnë të gjithë shoqërinë, jo një pjesë të saj. “Në kryeqytet po përballemi me fenomenet më të çuditshme. Protokolli i Shtetit duhet të përcaktojë qartë dekorin e këtij qyteti. Sot, bulevardi kryesor “Dëshmorët e kombit”, më thotë një veteran, ka marrë ngjyrat e Pigalit, një lagje e veçantë e Parisit dhe absolutisht, veterani kishte të drejtë. Shikojini, janë identike ngjyrat e Pigalit. Por ky shesh nuk është Pigali, por bulevardi “Dëshmorët e kombit”.” tha Berisha. Më pas, duke nënkuptuar kreun e Bashkisë së Tiranës, ai shtoi “Interesohem dhe këtë nuk e ka bërë vetë, por ka porositur ngjyrat vetë. Ka futur kompanitë, me sponsor dhe për këtë ka bërë mirë, por ngjyrat të atilla nuk mund të vihen. Bulevardi “Dëshmorët e kombit” do të ketë ngjyrat e dritat që duhen. Pastaj e bën këtë dy muaj pas martese.” Në këtë arsyetim Berisha I kërkoi Protokollit të Shtetit që të ndërhyjë, dhe “në qoftë se është e mundur me kode të ndërrohen ato ngjyra dhe të bëhen ngjyra normale. Francezët, që i bëjnë sheshit ndriçimin më fantastik, nuk i vënë në Champs Elysees ato ngjyra. As kullën Eiffel nuk e ndriçojnë në atë mënyrë. Ndaj Protokolli i Shtetit të ndërhyjë dhe bulevardi të marrë të gjithë ngjyrat, të cilat përfaqësojnë tërë shoqërinë. Është i papranueshëm siç është. Është shqetësuese. Veteranët ndjehen shumë të lënduar. Dhe unë qëndroj prapa tyre.” – tha kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›