E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot ndërrimi i viteve BalkanWeb uron: Gëzuar Vitin e Ri!

TIRANE-Me fishekzjarre, shampanjë, këngë puthje e përqafime, do të festohet sot në mbrëmje ndërrimi i viteve. Kremtimi i Vitit të Ri është një nga festat më tradicionale që mbledh familjarë, miq e shokë në tryeza të përbashkëta. Agjencia e lajmeve BalkanWeb, iu uron gjithë shqiptarëve kudo që janë: “Gëzuar Vitin e ri, 2011!”

Të shumtë janë shqiptarët të cilët preferojnë ta presin vitin e Ri në tryezat e tyre familjare në shtëpi, por ka dhe nga ata që kanë prenotuar për të kaluar këtë natë të vecantë në lokale. Të rinjtë do të ulen në tryezat familjare deri në mesnatë dhe më pas do të vazhdojnë festën në pabe, apo lokale deri në orët e para të mëngjesit të 1 janarit.

Ndryshe nga vitet e tjera, përvec emigrantëve që janë kthyer në Shqipëri për të festuar Vitin e ri, të shumtë janë dhe ato që kanë udhëtuar jashtë. Me hyrjen në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave është rritur dhe fluksi i shqiptarëve që udhëtojnë sidomos drejt Greqisë dhe Italisë. Të dhënat nga agjencitë tregojnë se heqja e vizave është shfrytëzuar kryesisht nga familjarët që takojnë të afërmit, ndërsa për ata që e kanë bërë traditë kalimin e festave jashtë Shqipërisë, kjo gjë pothuajse nuk ka ndikuar.

Viti i Ri, si lindi, ritet dhe besimet në ditën e ndërrimit të viteve
Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e saj, edhe pse me shekuj kanë pësuar modifikime, ato, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat e tyre esenciale.

Viti i ri është festë: e disponimit të mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella.

Kremtimi i Vitit të Ri është njëra ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marr parasysh racën, fenë, kombin, dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se, kremtimin e festës së Vitit të Ri, më së pari e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë fillzënien e vetë e ka nga romakët e vjetër dhe germanët.

Natën e ndërrimit të viteve gjatë pritjes së Vitit të Ri, shumë popuj të ndryshëm të botës i karakterizon një spektër i gjerë dhe i larmishëm i riteve, besimeve dhe besëtytnive të ndryshme, që janë krijuar si shprehje e dëshirave për: pastrim, largimit të demonëve dhe shpirtrave të këqij, kërkimin e fatit dhe lumturisë, jetës më të pasur dhe më të begatshme...etj.
Shumë prej këtyre veprimeve janë të ruajtura dhe kultivohen tradicionalisht edhe sot e kësaj dite.
Ja disa prej tyre:
Tradita kubane për natën e ndërrimit të viteve praktikon ngrënien e 12 sardeleve të një lloji peshku. Besohet se kjo ndikon në rritjen e fatit dhe lumturisë gjatë 12 muajve të vitit të ri pasues;

Në Filipine është tejet e rëndësishme që në tavolinën festive familjare gjatë pritjes së Vitit të Ri , të sigurohet sa më shumë llojllojshmëri ushqimesh. Me këtë akt besohet se viti që vjen do të jetë aq i pasur dhe i begatshëm sa është e pasur vetë sofra festive e asaj mbrëmjeje;
Në traditën e popujve gati të të gjithë botës fëmijët e lindur më 1 janar konsiderohen si fëmijë më fatlum në botë;
Puthja në mesnatë nuk është vetëm shprehje e momentit euforik të kremtes, por ajo shpreh edhe konfirmimin e bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me atë person, edhe gjatë 12 muajve të vitit që po na vjen;

Njeriu i parë i cili do t'ju hyj në shtëpi pas mesnate, besohej se, ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës për ju dhe besnikërisht mund të mbështeteni në të.

Preferohet që ndonjë punë apo veprim që ju ka mbetur në gjysmë atë ta përfundoni pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve. Ky veprim do t'ju sjell shumë fat dhe punë të mbarë në të gjitha ndërmarrjet e juaja gjatë tërë vitit të ardhshëm.

Nëse dëshironi që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, atë në asnjë mënyrë nuk duhet ta prisni me borxhe. Tentoni që para ardhjes së Vitit të Ri të tentoni t'i paguani të gjitha borxhet që i keni, sepse kështu viti që vjen, do t'ju sjell fillim të mbare në të gjitha fushat e jetës.

Të gjitha portofolat e juaja që i dispononi, ate mbrëmje mos i lini të zbrazëta, por i mbushni me monedha, sepse kështu besohet se viti i ardhshëm do t'ju përcjelli me shumë begati dhe pasuri financiare.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›