Sot ndryshon ora, akrepat 60 minuta para
Sot (30 mars) në orën 02: 00, edhe në Shqipëri akrepat e orës do të lëvizin një orë para, një ndryshim ky që ndodh në javën e fundit të marsit dhe zgjat deri në javën e fundit të tetorit (26 tetor). I quajtur ndryshe numërimi i orës verore, ky ndryshim do t' u japë mundësi të gjithë njerëzve të shijojnë sa më shumë ditën dhe rrezet e diellit. Në vende të tjera, ky ndryshim do të ndodhë sipas orëve përkatëse lokale.
Për vendet e Bashkimit Europian, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast. Ndryshimi i orës më parë në Europë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës dhe kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që të shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj europian nga viti 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma europiane vendos në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora si tani, shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit.