Sot në Kuvend, në rend dite ligjet me 84 vota

Testi i radhës për PS-në
Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë pritet të hidhen në votim disa ligje që për miratim kërkojnë 3 të 5 e anëtarëve të parlamentit. Për disa seanca me radhë, Kuvendi është detyruar të tërheqë ligjin për Gjykatën Administrative, atë për Kodin Penal, Kodin Rrugor dhe Kodin Detar, për shkak të mos dhënies së konsensusit nga opozita. Edhe sot, administrata e Kuvendit ka hedhur në rend dite pikërisht ligjet që s’janë miratuar më parë. Kuvendi do diskutojë dhe do hedhë në votim projektligjin “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”. Ky është konsideruar dhe si ligji më i rëndësishëm edhe nga faktori ndërkombëtar, pasi shtyrja e miratimit të tij edhe për një vit, për shkak të bojkotit 2 vjeçar të Kuvendit nga PS, bëri që Shqipëria të humbasë nga Fondi i Mijëvjeçarit plotë 17 milionë dollarë. Ngritja e Gjykatës Administrative është një kërkesë e vazhdueshme e komunitetit të biznesit. Mos ngritja e Gjykatës Administrative, institucioni i drejtësisë për bizneset, po pengon gjithmonë e më tepër investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri.
Sipas përfaqësuesve të bizneseve, nga kontaktet me sipërmarrës të huaj, lind gjithmonë pyetja se a është ngritur kjo strukturë në vendin tonë. Përfaqësues të biznesit shprehen qartë se nuk mund të shtyhet më vënia në jetë e kësaj gjykate, e cila është rikthyer në Parlament për t’u votuar. Projektligji për Gjykatën Administrative, institucion i cili u vjen në ndihmë posaçërisht bizneseve, ka mbi dy vjet që nuk votohet.
Ndaj, ky draft është në rendin e ditës të çdo seance plenare dhe nuk është miratuar për shkak se opozita nuk jep votën e saj.
Sot pritet të jetë një tjetër ditë testuese për rolin e opozitës në Kuvend. Po ashtu, seanca e sotme parashikon diskutime dhe miratim të projektligjit për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë legjislative me 84 vota.
Po ashtu, në rend dite është parashikuar dhe një interpelancë me ministrin e Punëve Publike Sokol Olldashi, e kërkuar nga deputeti socialist, Erjon Braçe.