Në përvjetorin e pavarësisë, Shqipëria të kthehet në vendin e dixhitalizimit dhe shërbimeve transparente

Kryeministri Berisha kërkon kompletimin e projektit “Shqipëria në moshën dixhitale”
Kreu i ekzekutivit Sali Berisha kërkoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, avancimin e avancimin e objektivit madhor “Shqipëria në moshën dixhitale”. Duke përshëndetur progresin e bërë në këtë fushë gjatë dy viteve të fundit, çfarë ka mundësuar shtrirjen e internetit në çdo shkollë, ofrimin e tij falas në 510 zyrat e Postës Shqiptare në të gjithë vendin, kryeministri theksoi se do ndërmerren hapa vendimtarë, që jo vetëm ju mundëson qytetarëve shqiptarë lundrimin në internet, por edhe do të zgjerojnë shërbimet dixhitale si shërbimet më transparente, më të shpejta e të sigurta.
“Progresi ynë në këtë fushë ka qenë ndër më të shpejtët, mjafton t’ju kujtoj se dy vite më parë ne kishim rritjen e dytë më të shpejtë në Europë, por edhe më gjerë. Sot lundrohet në internet në të katër anët e vendit, përveç shkollave, qeveria ofron internet falas në të gjitha zyrat e Postës Shqiptare, 510 zyra, në të cilat në një hark kohor 6 mujor kanë lundruar në internet e kanë përdorur shërbimet e tij 2.1 milion shqiptarë. Posta e vendit po përgatitet të hapë 1800 zyra për të ofruar internet falas për qytetarët shqiptarë. Ne do të bëjmë gjithçka, do të zhdukim çdo barrierë e pengesë, në mënyrë që lundrimi në internet të jetë i mundur për çdo qytetar të këtij vendi. Por ky është vetëm një hap. Shërbimet dixhitale janë shërbimet më transparente, më të shpejta, më të sigurta e më të civilizuara që një qeveri dhe administratë mund t’u ofrojë qytetarëve”, u shpreh Berisha. Kryeministri nënvizoi se për realizimin e këtij qëllimi janë hartuar e në zbatim 125 projekte, që përfshijnë të ministritë, agjencitë dhe institucione të tjera publike. Kryeministri kërkoi finalizimin e tyre dhe kompletimin e procedurave dixhitale brenda vitit 2012, duke theksuar se projektet për moshën dixhitale të jenë përparësi në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Hapa të mëdhenj janë bërë, por hapat vendimtarë janë për t’u bërë. Për të realizuar këtë qëllim, janë në zbatim e sipër 125 projekte, nga të cilat, në Këshillin e Ministrave 2 projekte, ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit 27 projekte, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) 45 projekte, AKEP 6 projekte, INSTAT 5 projekte, Ministria e Arsimit dhe Shkencës 13 projekte, Ministria e Brendshme 10 projekte, Ministria e Drejtësisë 11 projekte, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës 10 projekte, Ministria e Financave 19 projekte, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta 8 projekte, Ministria e Shëndetësisë 12 projekte, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit 4 projekte, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve 5 projekte dhe të tjera. Siç e shihni, në të gjitha agjencitë e ministritë janë të hartuara dhe në zbatim e sipër 125 projekte. Kërkohet finalizimi i tyre me çdo kusht, brenda vitit 2012. Ky është një objektiv madhor, por nuk ka asgjë që mund të bëjmë më shumë, sesa Shqipërinë dixhitale në 100 vjetorin e pavarësisë së saj. Ky 100 vjetor, Shqipërinë duhet ta gjejë si Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë më transparente, Shqipërinë më të shpejtë, Shqipërinë e imagjinatës më të zhvilluar. Ndaj është e domosdoshme të rishqyrtoni edhe një herë të gjitha këto projekte, në përputhje me buxhetin. Përparësi absolute në buxhet kanë projektet e moshës dixhitale, pra, kjo është përparësi absolute e vitit që vjen. Çdo projekt që ka të bëjë me moshën dixhitale do të jetë i pari, krahasuar me gjithë të tjerat”, tha kryeministri.
Berisha theksoi se qeveria do bëjë të gjitha përpjekjet që të avancohet në ndjekjen e teknologjisë dhe moshës dixhitale. Për këtë ai solli në vëmendje progresin e shkëlqyer të projektit të telefonisë nga IPhone 5 tek 4S. Ndërsa tha se shumë shpejt krahas 3G shumë në treg do hidhet edhe 4G.
“Avancimin dhe vetëm avancimin e tyre me projekte të tjera. Mosha që ndryshon më shpejt është mosha dixhitale. Një moshë e pamëshirë po nuk e ndoqe, që të lë mbrapa. E pritën me padurim IPhone 5, por doli 4S, nuk ishte pesë. Ndaj duhet që sistemet që vendosim të kenë të gjithë mundësinë dhe përshtatjen me sistemet që vijnë. Ne po bëjmë gjithçka që tregu i 3G të bëhet sa më kompetitiv. Sikundër po përgatisim kuadrin ligjor për 4G. Ambicia jonë për të arritur në kufij të kësaj moshe është shumë e madhe. E vërteta është se asgjë nuk ndryshon jetën e njeriut, më shumë se mosha dixhitale. Asgjë nuk shumon informacionin që ai merr, më shumë se mosha dixhitale. Asgjë, asnjë mjet tjetër nuk mund t’u ofrojë qytetarëve shërbimet më të shpejta, më të pastra e më transparente dhe në shumë aspekte, tha Kryeministri, duke shtuar se, kjo është leva e Arkimedit për të luftuar korrupsionin. Ne u bëmë ndër vendet e pakta me pranimet universitare, të bazuar në procedurën dixhitale. Zero korrupsion. Pas vendosjes së këtij sistemi, nuk ka qoftë një ankesë të vetme se shkoi me mik këtu apo aty. Ne u bëmë vendi i parë në botë me prokurime elektronike 100 për qind. Tani ne duhet të bëhemi detyrimisht edhe vendi i blerjeve të vogla dixhitale. Është shumë e domosdoshme që të ofrohen të gjitha lehtësirat dhe transparencë edhe në blerjet e vogla të qeverisë. Sikundër të studiohet mundësia e ankandit dixhital. Më thanë njëherë se nuk bëhet, sepse ai ka rregull, por nuk ka asgjë mekanike që nuk mund të shndërrohet në dixhitale, përveç mendjes së atyre që ju ka mbetur ora jashtë kohe”, tha ai.
Po kaq të rëndësishme, Kryeministri vlerësoi që punonjësit e zyrave postare t’u përgjigjet me zhdërvjelltësi kërkesave dhe nevojave të qytetarëve për shërbimin e internetit.
“Çdo punonjës i zyrave të shtetit duhet të ketë certifikatën e përdorimit të programeve kompjuterike. Kur një gjyshe 80 vjeçare zbret nga shtëpia e saj, në zyrën e postës, për t’i bërë një e-mail urimi për ditëlindje mbesës, punonjësit e këtyre zyrave duhet të jetë të zhdërvjellët, pa përjashtim që të gjithë, në përdorimin e internetit. Kjo do të thotë të organizohen kurse në të gjitha zyrat e shtetit, kurse për diçka që ata mund ta mësojnë, nuk mendojmë t’i zëvendësojmë. Fatmirësisht, kjo është doktrina e ikonave, më e thjeshta e të thjeshtave, për të operuar me të. Pavarësisht nga mosha e çdo gjë tjetër, çdo punonjës i administratës duhet të përdorë me shkathtësi të plotë kompjuterin, në tërësi. Kjo është pothuajse e realizuar, por duhet të jetë 100 për qind. Një detyrim madhor”, deklaroi kryeministri Berisha.