Sot në orën 13:00 nis bllokimi i rrugëve për Giro d’Italia, policia e Tiranës: Akset ku nuk lejohet qarkullimi

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Giro d’Italia, gara e famshme e çiklizmit nis ditën e sotme me Etapën e Parë nga Durrësi në Tiranë. 184 çiklistë do përshkruajnë një itinerar që përfundon në kryeqytet, teksa Policia e Tiranës ka rikujtuar edhe njëherë akset ku ndalohet parkimi dhe qarkullimi i makinave.
Policia e Tiranës njoftoi se ditën e sotme, në orën 13:00, fillon bllokimi i akseve rrugore:
- Rruga “SH3” (fshati Gracen deri në rrethrrotullimin i TEG-ut);
- Rrethrrotullimi i TEG-ut deri te rrethrrotullimi i Sanatoriumit;
- Rruga e Elbasanit,
- Bulevardi “Bajram Curri”;
- Rruga “Ali Shefqeti”;
- Rruga “Alajdin Frashëri”;
- Rruga e Rexhekrit;
- Rruga “Muhamet Deliu”, deri tek rrethrrotullimi i Freskut;
- Rruga “Sotir Çaci”;
- Rruga “Xhanfize Keko”;
- Rruga “Arkitekt Kasemi”;
- Bulevardi “Zhan D’Ark”;
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”;
- Në brendësi të ish-Gardës së Republikës;
- Rruga pas Pallatit të Kulturës;
- Rruga “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
Nga ana tjetër shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës dhe shërbimet e komisariateve në varësi të DVP Tiranë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit ndërkombëtar “Giro d’Italia”, si dhe për garantimin e sigurisë publike gjatë 2 ditëve gjatë të cilave ky aktivitet do të zhvillohet në Tiranë.
Mengjesin e sotëm është zhvilluar instruktazhi i punonjësve të Policisë, gjatë të cilit janë dhënë porosi të qarta për respektimin rigoroz të detyrave funksionale, për garantimin e sigurisë përgjatë itinerarit të garës, për ofrimin e asistencës, si dhe për orientimin e qytetarëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë iu bën thirrje qytetarëve/drejtuesve të mjeteve, të tregojnë mirëkuptim dhe bashkëpunim, për zbatimin e këtyre kufizimeve që do të mundësojnë zhvillimin e garës në kushte optimale sigurie. /j.p/