Sot, në orën 14.00, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp në selinë e kryeministrisë. Pas deklaratës në hapje të konferencës, Kryeministri iu përgjigj interesimit të medias s
Sot, në orën 14.00, Kryeministri Berisha dha një konferencë për shtyp në selinë e kryeministrisë. Pas deklaratës në hapje të konferencës, Kryeministri iu përgjigj interesimit të medias së pranishme për çështje të ndryshme.
Pyetje: Zoti Berisha ku i shikoni rreziqet e situatës në Kosovë nga qeveria e Beogradit?
Kryeministri: Rreziqet janë serioze. Së pari, në Beograd dominon fantazma e Serbisë së madhe dhe alternativë tjetër e vetme e Beogradit është ndarja e Kosovës. Këtë do të doja ta theksoja me të madhe. Ka vende që janë miq të përbashkët të Shqipërisë dhe Serbisë dhe për këto vende, mesazhi im është se Serbia nuk ka opsion tjetër përveç Serbisë së madhe ose ndarjes së Kosovës, por ndarja e Kosovës, e një vendi që ka 90 për qind shqiptarë dhe 10 për qind pakica, është një përpjekje në mes të ditës për krijimin e shteteve të pastra etnike, për të faktuar se në Ballkan janë vetëm ato që mund të funksionojnë. Kjo është një përpjekje tepër e rrezikshme, sikundër është një përpjekje për një ndarje tjetër territoriale të trojeve të banuara nga shqiptarë, e cila do të jetë absolutisht e papranueshme nga shqiptarët. Ne kemi përshëndetur respektimin e kufijve ndërkombëtarë, por nëse mendohen operacione të tjera kirurgjikale mbi shqiptarët ky opsion është jashtëzakonisht i gabuar.
Pyetje: Pas vendimit të qeverisë greke për dyshtetësinë, ju e vlerësuat këtë vendim, por mjaft politikanë shqiptarë e kanë kontestuar ashpër. Zoti Kryeministër vazhdoni t'i qendroni deklaratës suaj të parë?
Kryeministri: Ky problem është diskutuar me autoritetet greke të të dy krahëve para dhe gjatë vizitës sime në Athinë. Një vit e gjysëm më parë ka patur një qendrim tjetër, por kishte dy momente që duhen patur parasysh. E para, ishte prag zgjedhjesh dhe së dyti, ishte i paqartë procesi i shtrirjes së shtetësisë. Që shqiptarët të përdoren për qëllime elektorale kjo nuk është e pranueshme, sepse, sot, fiton njëra palë dhe pala tjetër i mban mëri herën tjetër dhe kjo nuk është e pëlqyeshme.
Gjatë vizitës sime në Athinë, si qeveria dhe opozita, më ka shtruar problemin dhe jam dakort. Së pari, është përcaktuar se shtetësia do t'u jepet atyre që e kërkojnë dhe nuk është e vërtetë se ka shtrirje të nënshtetësisë automatikisht jashtë kufirit territorial të republikës greke. Në këtë kontekst, ju keni me mijëra qytetarë shqiptarë me shtetësi të vendeve ku jetojnë. Siç ka me mijëra e mijëra qytetarë grekë me shtetësi gjermane në Gjermani. Kjo është koha e globalizmit. Pasaporta nuk është humbje e identitetit kombëtar, por është normalizim i jetës së qytetarit aty ku jeton dhe ka vendosur familjen e tij. Gjatë vizitës në Athinë u takova me shqiptarë dhe ata e pritën me shumë entuziazëm qendrimin tim.
Qeveria greke ka bërë hapin drejt shtetasve shqiptarë me origjinë minoritare. Ju siguroj se i njëjti hap do të bëhet më vonë, në kuadrin e BE-së, edhe ndaj shtetasve shqiptarë apo shtetasve të tjerë, sepse është gjëja më normale që ata, të cilët kontribuojnë në ndërtimin e vendit tënd dhe janë një faktor i rëndësishëm, të shpërblehen me njohjen e shtetësisë. Franca shkon më tej, ajo bën fjalë për nacionalitet, duke i barazuar edhe më tej. Ky është një proces dhe unë e shoh si të tillë. Nëse e konsideron si një kërcënim, atëherë nxirr një ligj që të mos pranosh dyshtetësinë për qytetarët e tu. Por kjo nuk mund të bëhet, sepse është jashtëzakonisht në kundër rrymë, pasi duhet të mendosh për jetën, familjen, punën dhe kushtet e tyre.
Pyetje: Pavarësisht kërkesave që ka bërë BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare për bashkëpunim për reformën zgjedhore, sot ka skaduar afati i komisionit për reformën zgjedhore dhe asgjë nuk është vendosur. Maxhoranca mund të shkojë në zgjedhje me Kodin e Vjetër, ndërsa opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.
Kryeministri: E vërteta është se lidhur me zgjedhjet lokale rekomandimi i vetëm i OSBE/ODIHR kanë qenë listat. Në rekomandimet e tyre nuk ekziston ndonjë kërkesë specifike, por në çdo rast hapësirat për përmirësim janë reale. Ne kemi dëshmuar dhe dëshmojmë vullnet të plotë për të zbatuar të gjitha ndryshimet për të cilat kemi rënë dakort në marrëveshjen e nënshkruar midis dy forcave politike, si dhe për kërkesat e OSBE-së të paraqitura nëpërmjet dokumentit të quajtur ‘non paper'.
Problemi është se PS-ja është e ndarë në dy rryma të mëdha. Rryma që kryesohet nga kryetari ‘de juro', i cili konsideron sukses të vetin dëmtimin e zgjedhjeve me çdo kusht dhe rryma tjetër që mendon se zgjedhjet duhet të zhvillohen dhe të merret pjesë. Nëse bëni një rishikim të të gjitha shkrimeve në gazeta dhe emisioneve tuaja do të gjeni kryetarin aktual të shqipërojë njëlloj fjalën bojkot me fjalën zgjedhje. Ai e ka shumë të vështirë ta pranojë atë që unë e them ‘kurban', por që ka kuptimin e daljes në profesion të lirë. Nuk mund të them se do të dalë në pension politik, pasi nuk ka qenë ndonjëherë në politikë. Pensioni ishte për Nanon. Por edhe daljen në profesion të lirë e ka shumë të vështirë, e bëri provën, por edhe ajo i dështoi. Ekszpozita që hapi ishte një mediokritet total.
Pyetje: Pas raportit të BE-së, Presidenti ndërmori një nismë për krijimin e një grupi pune për reformën në gjyqsor. Si e gjykoni këtë?
Kryeministri: Qeveria e drejtësisë është bastion i korrupsionit dhe krimit të organizuar të vendit, është strehë e aldo bareve me jaka të bardha, është faktor ndëshkimi për kombin dhe vendin. Ata që janë kapur kokë e këmbë nga krimi dhe korrupsioni nuk mund të reformojnë dot sistemin e drejtësisë. Të pretendosh që Sollaku, avokati i Bares, Lul Berishës etj., do të reformojnë prokurorinë është njësoj si të imagjinosh rrethin katror.
Situata është jashtëzakonisht e rëndë. Ne do të dorëzojmë këto ditë ligjin për hetimin e pavarur të prokurorit të përgjithshëm. Ky është qendrimi ynë. Ky prokuror është kokë e këmbë i kapur nga krimi. Tre javë më parë urdhëroi bllokimin e hetimit dhe la jashtë procesit penal dy ish ministra nga më të korruptuarit. Vetëm pak ditë më parë, njoha publikun me regjistrimin që ekziston, ai shiti dosjen dhe u detyrua t'i marrë të pandehur. Kjo është e vërteta. Ai është tregtar me dosje krimi.
Nuk mund të pretendohet për reformë, kur pranon gjermenët sepse paguajnë qindra e mijëra euro. Në një kohë kur në procesin gjyqësor të bandës më mizore të Ballkanit, - asnjë bandë tjetër nuk ka kryer krimet monstruoze të bandës së Lushnjes, - dëshmitari deklaron se ne vrisnim natën dhe Gjermeni na lironte ditën me urdhër të Dondollakut dhe dëshmia e tij është e regjistruar në të gjitha mediat, Gjermeni bëhet ministër në qeverinë e drejtësisë. Prandaj nuk mund t'i besoj iluzionet. Ne bëjmë transparencë të plotë, ndjekim ligjshmërinë, kushtetuetshmërinë dhe reformat. Ky është qendrimi ynë Natyrisht këto u bëhen të ditura edhe shqiptarëve, sepse ka të bëjë me fatin e tyre. Ne duam të integrohemi duke vendosur standartet, por me gjermenë dhe sollakë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se ngjallim një ndjenjë diskomforti, ndoshta edhe më shumë, ndaj të tjerëve.
Pyetje: Prej kohësh aleatët tuaj demokristianë po këmbëngulin për firmosjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisjeje. A mund ta konfirmoni këtë para zgjedhjeve dhe a do të ketë përfaqësim të PDK-së në qeverinë tuaj?
Kryeministri: PDK-ja është parti aleate dhe realisht ka qenë partia e parë me të cilën PD-ja është ulur në bisedime për koalicionin. Por pati disa zhvillime që krijuan një situatë e tillë, e cila i ngriu këto marrëdhënie. Është mendimi i përgjithshëm i PD-së që me PDK-në duhet të ketë marrëveshje dhe, në këtë kontekst, do të nënshkruhet marrëveshja me PDK-në për përfshirjen e saj në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Pyetje: Para apo pas zgjedhjeve?
Kryeministri: Pas zgjedhjeve, pasi tani nuk është kohë rikompozimi për shkak të dy faktorëve. I pari, është buxheti, i cili dje mori një vlerësim shumë pozitiv nga parlamenti, por për të cilin diskutimet vazhdojnë. E dyta, janë zgjedhjet. Rikompozimi nuk është vetëm i qeverisë, por i qeverisjes në të gjitha nivelet.
Pyetje: Zoti Berisha a do t'i bëni ndryshimet në qeveri pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve?
Kryeministri: Marrëveshja është marrëveshje dhe nuk ka lidhje me rezultatin e zgjedhjeve.
Pyetje: Nesër është afati i fundit i përfundimit të procesit ligjor të legalizimeve. Ka një fluks kërkesash nga qytetarët për shtyrjen e tij. A ka qeveria një ide se çfarë do të bëjë pas këtij afati, më 15 nëntor. Së dyti, cili do të jetë reagimi i qeverisë lidhur me ndërtimet pa leje, sepse gjatë dy muajve të fundit janë vërejtur ndërtime pa leje sidomos në zonat urbane të kryeqytetit.
Kryeministri: Të dy pyetjet janë të rëndësishme. Nesër është afati i fundit dhe nga informacioni që kam marrë sot jam informuar se vetëm dje janë dorëzuar 8 200 dosje. Ky proces po ndiqet orë pas ore. Problemi do të shqyrtohet nga drejtuesit e agjencisë dhe ministrisë dhe do të merret një vendim, sepse problemi është serioz.
Çështja e dytë, gjithashtu, është e rëndësishme. Kësaj çështjeje do t'i japë përgjigje reale fotografimi ajror, i cili është dokumentim centimetër për centimetër. Është hapur tenderi për formën më të mirë të fotografimit ajror, i cili është një pasqyrë identike e realitetit në vend. Pas këtij procesi, të jeni të sigurtë se nuk do të pranohet asgjë.
Pyetje: Pas veprimit të maxhorancës mbrëmë për ndërprerjen e procedurës së shkarkimit të zonjës Topalli, opozita ka deklaruar, sot, se i është hequr e drejta edhe e votimit, edhe e kërkesës për shkarkim, për interpelancat e gjithçka dhe se maxhoranca po e shtyn opozitën jashtë Kuvendit. A është e përgatitur PD-ja dhe koalicioni të menaxhojë një hapësirë bosh që mund të lërë PS-ja në parlament?
Kryeministri: Ju ftoj ta analizoni ditën e djeshme. Ajo është ndër ditët unike në historinë e parlamentarizmit botëror. Dje, Kryeministri paraqiste në Kuvendin e Shqipërisë buxhetin e shtetit, aktin më madhor të qeverisë së çdo vendi, por opozita nuk kishte mocion për buxhetin. Asgjë më fatkeqe se kjo nuk ka. Ishte mocion për kryetaren e Kuvendit dhe kjo për herë të dytë. Vetëm procese të caktuara psiqike të një njeriu që po rrënon një forcë politike, mund të shtyjë opozitën drejt një marrëzie të tillë të plotë politike. Nuk mund të ketë kurrë shkak tjetër.
Zotërinj, ja ku e keni qeverinë me gjithë buxhetin. Për opozitën buxheti është shtylla kryesore dhe duhet të ngrihet, edhe në qoftë se nuk e rrëzon sepse nuk i ka votat, i bën ‘gjyqin' nëse e gjykon të tillë. Ndërsa ata u morën me tjetër gjë, për shkak të proceseve psiqike, e them këtë me bindje dhe keqardhje të madhe për opozitën, për të cilën kam vlerësim të palëkundur që të katandiset në një gjendje të tillë të pashembullt në historinë e planetit.