E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot nis viti i ri shkollor, 56 mijë nxënës në klasën e parë

TIRANË- 650 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë nisin sot më 12 shtator ditën e parë të vitit të ri shkollor 2011-2012. Rreth 376 shkollave të mesme dhe 1749 shkollave 9-vjeçare hapin sot dyert për gjimnazistët e nxënësit, ndërsa mësimi në to do të zhvillohet me dy turne.

Kjo ditë do të jetë më e vecantë për 56 mijë nxënësit që do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, për të nisur kështu rrugë e gjatë të dijes. Të veshur me përparësen e zezë dhe jakat e bardha që do ti shoqërojnë në rrugën e re që kanë nisur, nxënësit e klasave të para do përjetojnë sot një ditë të paharrueshme. Me lule në duar, nën shoqërinë e gjyshërve apo prindërve të vegjlit e klasës së parë do të mbushin oborret e shkollës.

Ky vit parauniversitar përmban 35 javë dhe do të përfundojë në datën 6 qershor, ndërsa provimet e lirimit do të jenë në periudhën 7 dhe 22 qershor. Do të kenë dy periudha pushimi, një në pushimet e Vitit të Ri, rreth 2 javë dhe një në fund të marsit. Ndërsa, për sa i përket arsimit të mesëm, ky vit shkollor mbaron më 13 qershor të 2012-ës. Ndërsa maturantët kanë 2 javë më pak mësim pasi ata kanë 5 javë provimet e maturës dhe do të
përfundojnë në fund të qershorit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, uroi dje mësuesit dhe nxënësit të të gjithë arsimit parauniversitar, të cilët fillojnë nesër vitin e ri shkollor. Në mesazhin e tij, ministri tha se arsimi cilësor për të gjithë mbetet një sfidë.

"Sistemi arsimor po zhvillohet me shpejtësi. Janë shënuar arritje shumë të rëndësishme sasiore. Por ne jemi të vetëdijshëm që arritjet sasiore duhet të kthehen në cilësi, që nxënësit të fitojnë dije, duke i shërbyer formimit të tyre si qytetar të një shoqërie demokratike”, shprehet ministri, duke theksuar se, "Arsim cilësor për të gjithë është sfida jonë", nënvizoi ai.

Këtë vit, risi përbën edhe përfundimi i reformës së përmbajtjes së arsimit bazë. Ministri ftoi mësuesit dhe prindërit të bëhen pjesë e kësaj reforme. Viti mësimor përkon me veprimtaritë e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku çdo shkollë do të zhvillojë një program të gjerë të veprimtarive shkollore dhe jashtëshkollore.
(m.Arapi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›