Sulmet terroriste, Berisha: Shqipëria përkrah SHBA-së, pas 10 vitesh flamuri amerikan valëvitet më lart se kurrë

Shefi i Qeverisë shqiptare Sali Berisha ka përkujtuar sot 10-vjetorin e sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipasojë e të cilave humbën jetën 3 000 qytetarë amerikanë, por jo vetëm. Përmes një deklarate për shtyp kryeministri Berisha shpreh ngushëllime për familjet të cilat humbën njerëzit e tyre të dashur në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork. “Sot familjet e viktimave, kombi i madh amerikan, miqtë e tyre të lirisë në mbarë botën, përulen me nderim të thellë në kujtim të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, fëmijëve e të moshuarve që humbën jetën 10 vjet më parë nga sulmi barbar terrorist në Neë York, Ëashington dhe ne Pensilvani”- thotë kryeministri në deklaratën e tij. Kreu i Ekzekutivit thekson se me këtë akt terrorist i cili është më mizori në historinë e kohërave, ideatorët dhe ekzekutorët e tij besonin se do të mund të përkulnin flamurin amerikan, por pas 10 vitesh ky flamur valëvitet më lart se kurrë. “Sot, pas 10 vitesh, familjet e atyre që humbën jetën nga ky sulm, qytetarët e SHBA, miqtë e tyre në mbarë botën, kujtojnë këtë datë dhe nderojnë kujtimin e viktimave të 11 shtatorit pasi ideatorët, sponsorët, mbështetësit, organizatorët e tyre, Sudanët e Bin Ladenët dhe të tjerë të ngjashëm me ta, kanë marrë ndëshkimin më të merituar”- thekson Berisha.
Më tej, kryeministri sjell në vëmendje se Shqipëria dhe shqiptarët, por dhe vendet e lira në tërësi, u janë mirënjohës qeverisë së SHBA dhe kombit amerikan për udhëheqjen e vendosur të luftës kundër terrorizmit botëror dhe arritjet historike në këtë luftë. “Shqipëria dhe shqiptarët ndihen krenarë se qëndrojnë të rreshtuar me mikun e tyre të madh në mbështetje të kësaj lufte gjatë këtyre 18 viteve duke dhënë kontributin e tyre modest në rezultatet e saj”- përfundon deklaratën e tij kryeministri Berisha, me rastin e përkujtimit të 10 vjetorit të sulmeve terroriste në Nju Jork, duke shtuar se “11 Shtatori është një apel për të gjithë njerëzit e lirë, për një qëndrim të vendosur ndaj urrejtjes, intolerancës dhe fanatizmit të çdo lloji e të çdo ngjyre”.
Ministria e Punëve të Jashtme: Shqipëria do jetë në vijën e parë përkrah aleatëve, në luftën kundër terrorizmit global
Sot mbushen 10-vjet nga ngjarja tragjike e 11 shtatorit 2001, e cila shokoi mbarë botën, por, njëkohësisht, shënoi edhe një epokë të re në angazhimin në një koalicion të të gjithë popujve që kanë përqafuar parimet universale të lirisë kundër kërcënimit terrorist e paqes. Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë shpreh solidaritetin me popullin amerikan si dhe mbështetjen për të gjithë familjarët që humbën njerëzit e tyre në dashur. “Ne i qëndrojmë sot në krah popullit amerikan për të përkujtuar me dhimbje të thellë humbjen e rreth tre mijë qytetarëve të pafajshëm, mes të cilëve edhe bashkëkombës shqiptarë dhe i shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë gjithë familjarëve që humbën njerëzit e tyre të dashur. Kjo ngjarje e pashembullt ka lënë gjurmë të thella në historinë moderne. U sulmua vendi simbol i demokracisë. U sulmuan vlerat e botës së civilizuar, u kërcënua paqja dhe siguria ndërkombëtare”- thuhet në njoftimin e MPJ. Diplomacia shqiptare, duke dënuar sulmet terroriste, garanton edhe njëherë se Shqipëria do jetë përkrah të koaliacionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. “Shqiptarët ndihen krenarë që ishin ndër të parët që dënuan fuqishëm këtë sulm barbar dhe iu bashkuan koalicionit ndërkombëtar anti-terrorizëm të udhëhequr nga SHBA. Në këto 10 vite, ky koalicion ndihmoi popullin e Afganistanit të çlirohet nga tirania ekstremiste dhe, sot, po e ndihmon në rindërtimin e vendit. Në këtë ditë simbolike, të ngadhënjimit të paqes ndaj dhunës, konfirmojmë sërish vullnetin e palëkundur se Shqipëria do të vazhdojë të jetë në linjën e parë, në përmbushjen me përkushtim të angazhimeve të saj përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s, për të realizuar me sukses luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë”.