E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin javor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Gjatë takimit, Kryeministri komentoi projektbuxhetin e shtetit për vitin 200

Sot në mesditë, Kryeministri Berisha mori pjesë në takimin javor të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Gjatë takimit, Kryeministri komentoi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2007 dhe mundësitë që ai krijon për zhvillimin ekonomik të vendit, në veçanti për realizimin e investimeve të mëdha publike dhe zhvillimin social. Duke e konsideruar si buxhetin më të studiuar dhe transparent, Kryeministri vlerësoi se dy shtyllat kryesore të tij janë: projektet e mëdha infrastrukturore, që përfshijnë autostradat më të mëdha të vendit dhe komponenti social.

Lidhur me buxhetin 2007, Kryeministri bëri, ndër të tjera, këto komente:

"Ky është buxheti më i ristrukturuar dhe më shumë i studiuar se çdo buxhet deri më sot. Praktika e buxhetit në Shqipëri ka qenë ajo e thërrmimit dhe avullimit të tij. Nëse hidhni sytë mbrapa në 8 vite ju garantoj se gjeni të realizuara në to jo më shumë se çmund të realizohet nga përdorimi me ndershmëri dhe transparencë i buxhetit të një viti, madje edhe më pak.

Kam shumë kënaqësi t'ju informoj se ky buxhet ka dy shtylla kryesore: projektet e mëdha infrastrukturore, autostradat Lushnje-Vlorë, Durrës-Morinë, Shkodër-Hani i Hotit, Korçë-Qafë Thanë, si dhe shumë projekte të tjera.

Jo më pak e fuqishme qendron në këtë buxhet shtylla sociale e tij. Ju bëj thirrje nuk duhet të keni asnjë lloj tundimi negativ nga koncepti i sociales, i shtetit social, sepse në shtetin e mjerimit nuk mund të ketë rrugë tjetër përveç sociales.

Kjo qeveri po përballet me socialen në të gjitha aspektet. Para së gjithash dhe mbi të gjitha në lirinë e tregut, krijimin e vendeve të punës. Ne ulëm koston e prodhimit nëpërmjet uljes së çmimit të energjisë, ulëm koston e punës nëpërmjet uljes së kontributit të sigurimeve shoqërore, ulëm taksat e tjera dhe barrën fiskale, përgjysmuam taksat e biznesit të vogël dhe me ligjin e fundit në parlament i vumë kufirin atyre që u shesin me 8-10 euro metrin katror biznesmenëve të vegjël. Filozofia jonë nuk është kurrë që për të ndihmuar të varfërin duhet të shkatërrojmë të pasurin. E kundërta. Ne duhet të zgjerojmë inisiativën e lirë dhe biznesmenët të pasurohen mbi bazën e kësaj inisiative. Nga pasurimi i tyre fiton e gjithë shoqëria. Lufta kundër papunësisë është rruga kryesore për të luftuar varfërinë, por ne qendrojmë në shpërndarjen e të ardhurave si një domosdoshmëri dhe në lirinë e tregut.

Mënyra më e mirë për të ndihmuar të varfërit është të luftosh evazionin fiskal. Mënyra më e mirë është të luftosh me tolerancë zero kontrabandën, të krijosh shanse të barabarta.

Të gjitha këto po i bëjmë me përpjekje të mëdha. Ne nuk mund të pranojmë këtë lëngatë të vërtetë kombëtare. Dua t'ju informoj se 156 mijë pensionistë në fshat që marrin një pension mesatar prej 30-35 dollarë në muaj, janë 210 mijë pensionistë në qytete që marrin një pension mesatar 70-80 dollarë në muaj. Prandaj kjo është emergjencë dhe nuk mund të ecet më tutje kështu.

Ne bëmë hapa shumë të mëdha dhe askush nuk duhet të ndjejë keqardhje. Vetëm fondi që shpenzojmë tani për personat me aftësi të kufizuar, me rritjen e madhe që bëmë dy muaj më parë, është rreth 87 milion dollarë, duke bërë rritjen më shumë se 7 miliard. Rritja e ndihmës për ta ishte 32 për qind. Lëvizje të tjera do të bëhen, sepse kjo është e domosdoshme. Fatura sociale e pensioneve, gjatë 15 muajve të qeverisjes sonë, parashikohet të rritet, po të përfshijmë dhe ndërhyrjet që kemi bërë për invaliditetin, jo më pak se 60 milion euro. Një shumë e madhe, por e domosdoshme, sepse nuk mund të lësh në këtë gjendje atë që është shkrirë në kooperativë bujqësore me 2 5 00 lekë në muaj. Ne kishim vendosur një skemë të shkëlqyer pensionesh. Por, gjatë këtyre 8 viteve, ata amenduan ligjin në mënyrë të tillë që gjithnjë të përfitonin pensionet e larta, ndërsa të ultat rrinin në vend numëro. Të marrim shembullin e fundit. Ne vendosëm një shtesë prej 800 milion lekë për rillogaritje pensionesh, por në sajë të këtij sistemi ligjor, na rezultoi se pensionet e ulta njihnin një shtesë qesharake. Për shkak të deformimit të ligjit disa pensionistëve u llogaritej pensioni dhe merrnin 6 mijë lekë shtesë, ndërsa kishte të tjerë që nuk merrnin absolutisht as 500 lekë shtesë. Natyrisht ndërhyrjet u bënë.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Ministria e Financave ka bërë përpjekje shumë serioze për të fuqizuar dimensionin social të buxhetit, nëse doni mund ta quajmë dhe skemën e kafshatës. Natyrisht ata që përdorin ‘channel' dhe lahen në vaska floriri me cinizëm e artikulojnë këtë si skemën e kafshatës. Ndaj do të ketë një risi vërtet pozitive në këtë buxhet dhe e vlerësoj shumë punën e bërë.

Dua t'ju informoj se janë rritur në mënyrë shumë të ndjeshme shpenzimet sociale edhe në drejtime të tjera. Investimet në arsim rriten 21 për qind në krahasim me vitin e kaluar; shpenzimet në shëndetësi rriten 17 për qind në krahasim me vitin e kaluar, 20 për qind në institucionet e vuajtjes së dënimit; rritje të ndjeshme pësojnë edhe shpenzimet për kulturën. Gjithashtu rritet në mënyrë shumë të ndjeshme granti për qeverisjen vendore duke shkuar në mbi dyfishin e tij, nga 7.1 që e gjetëm këtë vit do të shkojë në 16.2.

Të gjtha këto u bënë të mundura, së pari, nga lufta kundër korrupsionit. Kjo luftë shpëtoi nga xhepat e qeveritarëve, zyrtarëve, kontrabandistëve dhe të atyre që bëjnë evazion fiskal 504 milion euro. Më shumë se gjysma e tyre i kalon biznesit dhe pjesa tjetër i kalon arkës së publikut. Këto u bënë të mundura edhe në sajë të transparencës së prokurimeve publike, luftës me efikasitet të evazionit fiskal dhe kontrabandës, zhdukjes së zarfit të ministrit, zëvendësministrit dhe drejtorit.

Dëshiroj ta ritheksoj se ka realisht një praktikë krejt tjetër buxhetimi, një buxhet tjetër që mundëson të ndërmarrësh vepra të mëdha dhe të fuqizosh gjithnjë e më shumë shtyllën sociale të këtij vendi. Ajo që u shpall si skema e kafshatës dhe që qarqe të caktuara nuk nguruan të derdhen me cinizëm ndaj saj, financohet nga taksapaguesit shqiptarë me një vlerë jo më pak se 60 milion euro gjatë këtij harku kohor të qeverisjes sonë."

Gjatë takimit, Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se ligji për hetimin e pavarur të Prokurorit të Përgjithshëm së shpejti do të jetë në parlament, duke siguruar hetim të ndershëm dhe të pavarur për të.

Lidhur me zbatimin e marrëveshjes me opozitën, Kryeministri theksoi "opozita e hodhi poshtë marrëveshjen me aktin që nënshkruan dje, por ne do të vazhdojmë ta zbatojmë atë pikë për pikë dhe të votojmë të gjitha ndryshimet që kemi nënshkruar në marrëveshje. Opozita është e lirë të hartojnë në byro politike çdo javë nga një platformë. Por ne nuk futemi në çështjet e tyre."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›