Sot publikohet raporti i KE-së, pritet qëndrimi për Kosovën

Komisioni Evropian pritet që sot të publikojë raportin e Progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë anëtarësimin në bllokun evropian.
Në raportin i cili pritet të publikohet mesditën e sotme do të jetë e përfshirë edhe Kosova ku sipas mediave të cilat kanë mundur të publikojnë një pjesë të tij thuhet se BE-ja do të para qesë tre shqetësime në lidhje me Kosovën. Sipas këtij raporti shqetësimet më të mëdha për Kosovën sipas Brukselit janë krimi i organizuar, korrupsioni dhe liria e shprehjes.
Në anën tjetër, nuk dihet nëse Kosova do të marrë dritën jeshile për fillimin e dialogut për vizat, ndërkohë, që duket se do të ketë sërish ngecje në lidhjen e raporteve kontraktuale si dhe proceset e tjera integruese, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga 5 vendet e BE-së.
Nga ana tjetër, Serbia është duke pritur që sot të marrë përgjigje në kërkesën e saj për statusin e kandidates për anëtarësim në BE.
Kohë më parë, kancelaria gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës së saj në rajon ka deklaruar se Serbia nuk do të duhet të marrë statusin e kandidatit pa normalizuar më parë raportet me Kosovën dhe pa shpërbërë strukturat paralele.